Incident gjatë demontimit, plagosen tre
Një shpërthim i pakontrolluar ka rrezikuar dje jetën e specialistëve të ushtrisë në poligonin e asgjësimit të municioneve luftarake në malin e Zgarës, rreth 12 kilometra në veriperëndim të qytetit të Librazhdit. Të paktën tre specialistë të demontimit të armëve dhe municioneve janë plagosur gjatë procesit të asgjësimit të municioneve të kalibrave të ndryshëm.
Përkundër informacioneve televizive që u emetuan disa orë pas kësaj ngjarjeje, burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se bëhet fjalë për një incident të lehtë, sikurse edhe plagosjet fatmirësisht ishin të lehta.
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 14:30 të ditës së djeshme në poligonin në Malin e Zgarës, ku punohet prej disa kohësh sipas një projekti të miratuar nga Ministria e Mbrojtjes, për asgjësimin e përgjithshëm të municioneve, si një rrezik i konsideruar për popullatën. Burimet e gazetës konfirmuan se në një moment gjatë procesit të asgjësimit ka shpërthyer një kapsollë e për pasojë janë plagosur lehtë tre specialistët e trajnuar për këtë proces.
Ndërkohë, burimet nga spitali i Librazhdit bëjnë të ditur se nga tre të plagosurit, dy prej tyre, Liman Boriçi dhe Hysni Xhaxhaj, janë paraqitur vetë në spitalin kirurgjikal të rrethit të Librazhdit për mjekimin e plagëve në duar dhe këmbë, ndërsa Fetah Xhaxhaj, 50 vjeç nuk ka pësuar asgjë nga ky incident. Sipas mjekut specialist në këtë spital, Liman Mënalla, mësohet se Boriçi, 50 vjeç dhe Xhaxhaj 52 vjeç, kishin gërvishtje të lehta nëpër duar dhe këmbë dhe kanë marrë mjekimin e nevojshëm. Sidoqoftë, të dy të plagosurit, pasi janë siguruar nga mjekët nuk kishin asnjë rrezik, mësohet se janë nisur me dëshirën dhe mjetet e tyre drejt Spitalit Ushtarak të kryeqytetit.
Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, Saimir Muça, pohon se “dy punëtorëve specialistë për demontim, Liman Boriçi, 50 vjeç edhe Hysni Xhaxhaj, 52 vjeç u ka shpërthyer aksidentalisht një kapsollë duke u shkaktuar plagë të lehta në duar dhe në këmbë”. Po sipas Muçës, “dy punëtorët e kualifikuar janë dërguar menjëherë në spitalin e rrethit të Librazhdit ku edhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, dhe aktualisht gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën”.
Mësohet se në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të policisë së rethit të Librazhdit, ndërsa hetimet po kryhen nga Policia Ushtarake. Nga hetimet e para të policisë, mësohet se ka qenë pakujdesi e specialistëve dhe klasifikohet si ngjarje aksidentale.
Poligoni i Zgarës, vendosur në majën e malit me të njëjtin emër, ka më tepër se një vit që është zgjedhur nga specialistë ushtarakë dhe miratuar nga Parlamenti për asgjësimin e municioneve luftarake. Largësia e tij nga qyteti i Librazhdit dhe zonat e banuara nuk krijon as ndotje akustike dhe as rrezik për komunitetin apo gjallesat e ndryshme në pyje. Ndodhet afërisht 800-1000 metra mbi nivelin e detit dhe në një distancë prej 15 kilometrash, nuk ka shtëpi banimi.
#