Masa e arrestit, Laze në Gjykatën e Lartë
TIRANE - Arben Laze, presidenti i burgosur i "Futboll-Klub Elbasanit" ka ankimuar në Gjykatën e Lartë masën e sigurisë "burg pa afat" të vendosur nga Krimet e Rënda në ngarkim të tij. Kërkesa e Lazes është paraqitur pak ditë pasi Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të linte në fuqi masën e sigurisë që Fakti kishte vendosur për Lazen në momentin e arrestimit më 24 dhjetor të vitit të kaluar. Duke pretenduar së është i pafajshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova, 40-vjeçari Laze kërkon nga togat e zeza zbutjen e masës së sigurisë ndaj tij. Ndërkohë Prokuroria pretendon se katër të arrestuarit në operacionin e koduar "Mesfushori", Shkëlqim Hyzmo, Arben Prifti dhe dy vëllezërit Arben dhe Fatjon Laze, kanë konsumuar veprën penale të trafikut të narkotikëve. Sipas Prokurorisë, këta dyshohen ta kenë kryer këtë vepër në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se njëherë. Ndërsa në momentin e arrestimit të tyre Prokuroria pohoi se hetimet ndaj të pandehurve kishin filluar disa muaj më parë, por një ditë para të tjerëve ishte arrestuar në kthesën e Divjakës shoferi Shkëlqim Hyzmo. Ky transportonte një sasi pak më tepër se një kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Pas hetimeve paraprake ka rezultuar se të përfshirë në këtë trafik kanë qenë edhe Prifti dhe dy vëllezërit Laze, që u prangosën një ditë më pas. Por pak ditë më parë, gjatë seancës së masës së sigurisë në Apel, vëllai më i vogël, Fatjon Laze, mori përsipër pronësinë mbi lëndën narkotike, duke pretenduar se ajo ishte e tij dhe se po ia dërgonte Priftit në Fier si pagesë për një makinë që i kishte blerë. Sipas tij, origjina e drogës ishte Maqedonia, ku ai ia kishte blerë një mikut të vet kosovar. f.m.