E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Topi, të ulemi për negociata

 

BLEDAR HOTI

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkon zhvillimin e negociatave me Presidentin Bamir Topi për çështjen e 5 dekreteve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në një deklaratë për median, Topalli bëri të ditur se, “në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është i hapur të bashkërendojë punën me institucionin e Presidencës për të gjetur konsensusin në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në thelbin e tij kërkon të shmangë situata në të cilat një institucion mund të propozojë pa pyetur, apo institucioni tjetër të miratojë apo të rrëzojë pa pyetur. Ky është thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj që institucioni i Kuvendit dhe ai i Presidencës, që janë institucionet kryesore të shtetit, siç e thekson vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të bashkërendojnë për të gjetur një konsensus në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Është shumë e thjeshtë”, deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja nuk ka pranuar që ka bllokuar dekretin e kreut të shtetit, por ka rivlerësuar qëndrimin e saj për negociata për pesë dekretet e paraqitura. “Gjykata Kushtetuese në thelbin e vendimit të saj për këtë çështje, i jep meritën e emërimit Kuvendit, por në të njëjtën kohë thotë që institucioni i Kuvendit dhe institucioni i Presidentit duhet të bashkërendojnë punën për të gjetur konsensusin. Unë si përfaqësuese e Kuvendit jam tërësisht e gatshme, tërësisht e hapur, në zbatim të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, por edhe për faktin që jam besimtare e dialogut, e koordinimit, e bashkërendimit të punës midis institucioneve, për të gjetur konsensusin në këtë pikë”, theksoi Topalli. Ajo theksoi më pas se asnjëherë nuk është vonë për të bashkërenduar punët, për të koordinuar punët dhe për të gjetur konsensus. Numri një i Kuvendit nuk ka dhënë shpjegime të hollësishme se çfarë do të nënkuptonte me negociata, nëse do kërkonte tërheqjen e një ose më shumë të kandidaturave të dekretuara për anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Aq më tepër kur ky është një detyrim i imponuar për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet. Unë, natyrisht, s’kam ndërmend të mos zbatoj këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha më pas kryeparlamentarja. Përplasjet mes maxhorancës tashmë duket se janë fokusuar vetëm ndërmjet dy institucioneve, të Presidentit dhe Kryetares së Kuvendit. Kryeministri Berisha, njëkohësisht edhe lideri i maxhorancës, nuk ka dhënë asnjë qëndrim në lidhje me këtë përplasje të iniciuar mes dy figurave të larta të shtetit. Çështja e pesë dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë për emrat e Kristaq Trajës, Medi Bicit, Artan Zenelajt, Altina Xhoxhajt pritet të jetë objekt i debatit në mbledhjen e ardhshme të grupit parlamentar të PD-së. Pesë dekretet u firmosën nga kreu i shtetit më 12 dhe 22 maj, ato janë depozituar në Kuvend. Për mosfutjen në shqyrtim fillimisht reagimi erdhi nga lideri i PS-së, Edi Rama, i cili e cilësoi si tejkalim të kompetencave të Topallit mospërfshirjen për shqyrtim të dekreteve të kreut të shtetit. Por Topalli qëndrimin e Ramës e cilësoi si një përpjekje për bllokimin e reformës në sistemin e drejtësisë nga ana e opozitës.

Qëndrimi i Topit

Presidenti e ka cilësuar jo të drejtë bllokimin e pesë dekreteve. Në një intervistë televizive, kreu i shtetit ka kërkuar që Kuvendi duhet të shprehet patjetër me votim pro ose kundër për të pesë kandidaturat e paraqitura. Sipas tij, Kryetarja e Kuvendit nuk ka zbatuar dy nenet e Rregullores së Kuvendit, 26 dhe 111, duke mos zbatuar procedurat e ndjekura dhe të parashikuara. “Këtu ka disa raporte kushtetuese të detyrueshme për t’u zbatuar, që përcaktojnë dhe funksionin ekskluziv të institucioneve. Presidenti ka detyrimin kushtetues që të dekretojë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe këtë ia dërgon Kuvendit të Shqipërisë. Veprimi i parë në nenin 136 të Kushtetutës e detyron Parlamentin të japë pëlqimin ose jo. Absolutisht jo. Është neni 136 që flet qartë për ekskluzivitetin e dërgimit në Parlament të dekreteve”, tha Topi. Kreu i shtetit theksoi se Kuvendi ka detyrimin të shprehet me votë për të gjitha kandidaturat e paraqitura për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Patozi: Kuvendi duhet të shqyrtojë emrat

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha dje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005 i jep të drejtë Parlamentit  të shqyrtojë me themel dhe në substancë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i njeh qartësisht Parlamentit të drejtën e shqyrtimit në themel dhe në substancë të çdo kandidati që ofrohet për anëtar të Gjykatës së Lartë. Ky është një atribut që është i detyru-eshëm të pranohet jo vetëm nga maxhoranca apo nga disa forca politike, por nga të gjithë”, tha dje Patozi. Sipas tij, “deri tani në këtë proces nuk është shkelur dhe dhunuar asnjë afat ligjor dhe asnjë detyrim kushtetues, e aq më pak të jenë cënuar të drejtat e njeriut të ndonjë personi”. Duke komentuar deklaratat e ditëve të fundit të selisë rozë lidhur me pengesat që po i krijon kryetarja e Kuvendit emrave për në Gjykatën e Lartë, Patozi tha se, “deklaratat e drejtuesve të PS-së ne i konsiderojmë një formë të qartë presioni politik, që nuk shkakton asnjë pasojë në qëndrimin tonë korrekt, kushtetues dhe ligjor për këtë çështje”.

Leskaj: Mocion shkarkimi për Topallin

Kryetarja e grupit të deputetëve socialistë, Valentina Leskaj, akuzoi kryeparlamentaren se ka shkelur ligjin. Sipas Leskajt,  “kryetarja e Kuvendit nuk ka reflektuar pas kritikave të opozitës se ka tejkaluar çdo kompetencë kur ka dërguar për verifikim organeve të Ministrisë së Drejtësisë, policisë dhe Ministrisë së Brendshme emrat e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi”. “’Kushtetuta në nenin 136 të saj, ka përcaktuar se “Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit’. Dhënia e pëlqimit nuk do të thotë mbledhja e të dhënave për kandidatët, nuk do të thotë kërkim i provave të pafajësisë, nga kryetarja.
Ky veprim i saj është në kundërshtim të hapur me ligjin”, u shpreh Leskaj. Ajo akuzoi Topallin se në rastin e 5 kandidatëve, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, ka shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe ka cenuar personalitetin e tyre. “PS-ja është bërë iniciuese e paktit për reformat në drejtësi, por reformat në drejtësi humbasin vlerën kur vazhdon presioni për të kapur institucionet e pavarura, kur nuk respektohet pavarësia e tyre”, tha Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›