E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet e korrikut, EULEX aksion blic në Veri

Një aksion i EULEX-it, NATO-s dhe Policisë së Kosovës, ka çuar në bastisjen e disa shtëpive dhe arrestime lidhur me ngjarjet e korrikut, ku u dogj dogana e Jarinjes dhe mbeti i vrarë një efektiv i FPK.

Prishtine - Njësitë e posaçme të EULEX-it të mbështetura nga trupat e NATO-s, kryen dje në veri të Kosovës një operacion në kuadër të hetimeve mbi ngjarjet e dhunshme të muajit korrik, gjatë të cilave humbi jetën një pjesëtar i policisë së Kosovës. Zyrtarë të këtij misioni thanë se gjatë operacionit janë bastisur katër shtëpi private dhe me këtë rast janë konfiskuar prova, përfshirë edhe armë. Ata thanë se tashmë ka gjashtë urdhër arresti të ngritura ndaj personave që dyshohet se janë të përfshirë në vrasje, ndërsa paralajmëruan përsëritjen e operacioneve të ngjashme. Lidhur me operacionin, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, foli para deputetëve të Parlamentit duke e akuzuar Beogradin se qëndron “prapa strukturave kriminale në veri të vendit”. Ai tha se gjatë operacionit “janë konfiskuar fakte të funksionimit të strukturave të paligjshme e paraushtarake si dhe armatim, i cili është shfrytëzuar gjatë veprimeve të tyre terroriste”. Kryeministri Thaçi tha se institucionet vendase e ndërkombëtare janë të vendosura për shtrirjen e sundimit të ligjit edhe në veriun e Kosovës. Në Veri përfaqësuesit lokalë të serbëve reaguan ndaj operacionit të djeshëm, duke i akuzuar autoritetet ndërkombëtare se po përpiqen të frikësojnë popullatën serbe, duke e detyruar që të shpërngulet prej andej. Gjatë kohës së operacionit grupe serbësh kanë protestuar kundër veprimeve të forcave ndërkombëtare. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se “Serbia i mbështetet operacionet e KFOR-it e EULEX-it, në veriun e Kosovës, nëse ato kanë për qëllim luftën kundër krimit dhe nëse zhvillohen në kuadër të statusit të paanshëm të këtyre misioneve ndërkombëtare”. Ai u ka thënë medieve serbe se ka marrë garanci nga misionet ndërkombëtare se operacioni i sotëm synon luftën kundër krimit dhe Beogradi nuk ka asnjë arsye që të bëjë vërejtje për një gjë të tillë. Ai është shprehur ndërkaq i brengosur me, siç ka thënë, deklaratat e Kryeministrit të Kosovës mbi veprimtaritë terroriste në Veri. Operacioni u krye një ditë pasi komandanti i forcave paqeruajtëse, gjenerali gjerman Erhard Buhler i kishte thënë agjencisë së lajmeve Associated Press, se tensionet në veri mund të rriten në pritje të arrestimeve të të dyshuarve për përfshirje në aktet e dhunës. Zyrtarë të EULEX-it u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në përpjekjet për të vënë para drejtësisë kryesit e krimeve të fundit në Veri. Komandanti i KFOR-it i ka shpjeguar dje shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Miloje Miletiç, regjimin e kontrollit të kufijve veriorë, ku lëvizja mbetet e kufizuar për shkaqe sigurie. Komandanti i KFOR-it ka theksuar se zhvillimet e fundit do të ushtrojnë ndikim edhe në shtyrjen e planeve të NATO-s për shkurtimin e mëtejmë të trupave paqeruajtëse në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›