E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, si do të privatizohet përmbarimi

Liberalizim për Shërbimin Përmbarimor. Ky ka qenë një nga projektligjet që ka kaluar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i propozuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Në draftin e paraqitur parashikohet që në vendin tonë Shërbimi Përmbarimor të jetë i sistemit të dyfishtë, pra, përveç atij shtetëror, të funksionojë i licencuar edhe ai privat. Një iniciativë e tillë është ndërmarrë nisur nga problemet e hasura gjatë ekzekutimit te vendimeve gjyqësore (titujve ekzekutivë) dhe kohëzgjatja e realizimit të procedurës. Për këtë arsye është shtruar si një nevojë ndërmarrja e reformave dhe aplikimi i praktikave të reja, të cilat do të përmirësonin funksionimin e këtij sistemi. Ndaj dhe një ndër reformat që propozohet është edhe liberalizimi i Shërbimit Përmbarimor. Praktika e një Shërbimi Përmbarimor të Liberalizuar ka gjetur zbatim në disa shtete evropiane. Bazuar në eksperiencën e këtyre vendeve në këtë fushë si dhe njëkohësisht mbi eksperiencën, kushtet specifike dhe traditën juridike të vendit tonë është menduar që Shërbimi Përmbarimor të jetë i sistemit të dyfishtë (two track system), duke u ushtruar nga dy sisteme paralele ekzekutimi; njëri Shërbimi Përmbarimor Shtetëror dhe tjetri nga Shërbimi Përmbarimor Privat. Kjo praktikë ndiqet sot në Rumani, e cila e aplikon këtë lloj sistemi për faktin e problematikës që shfaqin procedurat e ankandit në kolateralet e lëna si garanci për dhënien e kredive nga Bankat. Liberalizimi i Shërbimit Përmbarimor nënkupton që funksionet që ka Shërbimi Përmbarimor Shtetëror të mund të kryhen edhe nga operatorë privatë të licencuar për këtë qëllim. Në hartimin e këtij drafti është marrë në konsideratë eksperienca e disa vendeve, që kanë një Shërbim Përmbarimor të Liberalizuar plotësisht, ose pjesërisht, (p.sh. Estonia, Çekia, Holanda, Anglia, Greqia etj.). Detyra që do të ushtrojnë përmbaruesit privatë do të konsiderohet si një funksion publik i deleguar, nisur nga rëndësia që ka procedura e ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Ministri i Drejtësisë do të jetë autoriteti mbikëqyrës shtetëror, i cili mbikëqyr ushtrimin e funksionit të përmbaruesit privat, nëpërmjet licencimit, nxjerrjes së akteve nënligjore, që kanë të bëjnë me mirëfunksionimin e veprimtarisë së përmbaruesve privatë, organizimin e provimit, ushtrimin e kontrollit dhe fillimin e masave procedurale.

Detaj

Dhënia e provimit, kush përjashtohet

Në nenin 14 të projektligjit për fillimin e ushtrimit të profesionit të përmbaruesit privat, është parashikuar që personat t’i nënshtrohen një provimi kualifikimi. Në nenin 15 të projektligjit, nga detyrimi për dhënien e provimit janë parashikuar përjashtime për disa kategori personash dhe konkretisht ata persona, që kanë qenë regjistruar dhe kërkojnë të regjistrohen prapë brenda 3 viteve nga çregjistrimi, me kusht që çregjistrimi të mos jetë motivuar nga marrja e masave disiplinore; dhe ata persona, që iu është pezulluar licenca e ushtrimit të veprimtarisë, për shkak të ushtrimit të detyrave shtetërore/publike, për një periudhë 5-vjeçare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›