Presidencialet, kandidatët në tension për një raund të tretë
Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni kaloi në qetësi dhe me incidente të vogla, të cilat nuk mund të komprometonin procesin e tërë zgjedhor, por mes paqes kandidatët e patën frikën e bojkotit të votimeve. Nëse vërtetohet zyrtarisht pjesëmarrja mbi 40 për qind, atëherë Presidenti i ri i Maqedonisë do të jetë konservatori George Ivanov. Maqedonasit votuan për presidentin e tyre të ri dhe për disa komuna, të cilat për shkak të motit të keq nuk mundën të votonin gjatë zgjedhjeve të 22 marsit. Raundi i dytë i votimeve u zhvillua nën masa të forta sigurie. Sipas shefit të misionit të BE-së në Shkup, Ervan Fuere, votimet ishin përgjithësisht të qeta. Megjithatë gjatë procesit, ai ka deklaruar se ka marrë informacione për ndikime politike në procesin e votimit deri në kërcënime. Gara e fortë ishte mes kandidatit për President George Ivanov të VMRO-DPMNE-së dhe Lubomir Fërçkovskit të LSDM-së. Që votimet të vlerësohen si vlefshme duhet që të paktën pjesëmarrja të ketë qenë 40 për qind. Komisioni shtetëror zgjedhor në Maqedoni ka vlerësuar se pjesëmarrja në votime në realitet ka qenë e ulët, por besojnë se 40 për qindëshi është kaluar. Kandidatët shqiptarë për president e kanë humbur mundësinë për të qenë garues në raundi e dytë të votimeve dhe kjo ka bërë që shqiptarët të tregohen indiferentë për zgjedhjet presidenciale, më gjithë paktin mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, se do të mbështesin njëri-tjetrin më 5 prill. Për zgjedhjet lokale, konkurrenca më e fortë u raportua në komunat e Tetovës, Strugës e Gostivarit. Kampet e dy të kandidatëve janë frikësuar, pasi zgjedhjet presidenciale mund të ripërsëriteshin në një raund të tretë për shkak të bojkotit të votuesve. Deri disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit nuk kishte konfirmime zyrtare se pjesëmarrja ka qenë mbi 40 për qind. Kështu ka raportuar televizioni maqedonas “Sitel”. Sipas njoftimeve të deriatëhershme zyrtare, pjesëmarrja ka qenë në kufijtë e 40 për qindëshit, por jo mbi të. Sipas organizatës civile MOST, deri në orën 18:00 pjesëmarrja ka qenë 39.37 për qind. Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00. Nëse zyrtarisht konfirmohej se pjesëmarrja nuk kishte arritur në 40 për qind, atëherë dy kandidatët do të kishin një raund të tretë votimi për postin e presidentit. Mandati i presidentit aktual maqedonas Branko Cërvenkovski përfundon më 12 maj. Komisioni Shtetëror zgjedhor në Maqedoni ka njoftuar se rezultatet paraprake mund të dalin në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe ato më të sigurta pas 24 orësh, që pas përfundimit të procesit.