E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti me Malin e Zi, Nishani: Akt i turpshëm

Ministria e Brendshme shqiptare ka dënuar ashpër incidentin që ndodhi në kufirin me Malin e Zi, kur roja bregdetare malazeze ka qëlluar me armë një peshkatar shqiptar, i cili po lundronte në ujërat tona. Zyrtarët shqiptarë kanë kërkuar medoemos zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke e konsideruar tejet të rëndë e të papranueshme. Ndërkohë, Ministria e Brendshme shqiptare ka kontaktuar edhe me homologët e Malit të Zi, ku ka diskutuar mbi këtë incident dhe u është premtuar se shumë shpejt do të zbardhet dhe do të merren masat për përgjegjësit.

Dje paradite, Ministria e Brendshme, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka informuar në lidhje me incidentin, duke mbajtur edhe qëndrimin zyrtar. "Ne shprehim shqetësimin për ngjarjen e ndodhur më 10 qershor 2008, në Liqenin e Shkodrës, përballë pikës kufitare të Shën Gjergjit, ku shtetasi shqiptar, Hysen Skënderaj, 57 vjeç, lindur dhe banues në Luarëz, Komuna Velipojë, është qëlluar nga dy punonjës të policisë kufitare malazeze në kohën kur ishte duke peshkuar në ujërat tona territoriale", ka informuar zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Sipas tij, punonjësit e policisë malazeze kanë qëlluar nga ana e territorit të tyre. Më tej, Konja ka shpjeguar se i dëmtuari Skënderaj, i cili ndodhet në spital, është aktualisht jashtë rrezikut për jetën. "Materialet për këtë ngjarje i kanë kaluar prokurorisë, e ndërkohë nga strukturat tona policore u zhvillua një takim me palën malazeze për sqarimin e rrethanave të këtij incidenti", detajoi më tej Ministria e Brendshme. Në konferencën për shtyp u shtua gjithashtu se pas informacionit të dhënë nga ana jonë, pala malazeze ka ngritur një grup hetimor, i cili është duke punuar mbi këtë ngjarje. "Ministria e Brendshme, duke e konsideruar këtë ngjarje si tejet të rëndë e të papranueshme, në kundërshtim të plotë me frymën e mirë të bashkëpunimit reciprok mes dy policive dhe dy vendeve, kërkon nga strukturat përkatëse malazeze angazhimin maksimal për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë", ka mbajtur qëndrim Ministria e Brendshme. Incidenti në fjalë u shënua disa ditë më parë, në kufirin shqiptaro-malazez. Siç është vënë në dijeni edhe më parë, Hysen Skënderaj ka qenë duke lundruar në ujërat territorialë shqiptarë, kur është qëlluar me armë zjarri nga policia kufitare e Malit të Zi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›