Plazhi i Vlorës, destinacioni i preferuar i maqedonasve
Nis fluksi i pushuesve në bregdetin e Vlorës. Edhe këtë vit, si një vit më parë, plazhet e Vlorës janë mbipopulluar nga turistët, vendas dhe ata të huaj. Duket se Vlora ka qenë destinacioni i preferuar dhe për pushuesit maqedonas, të cilët vitet e fundit kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm për këtë pjesë të bregdetit shqiptar. Plazhi më i preferuar për ta mbetet ai i Zhironit, por jo vetëm ai. Këtë fundjave plazhet nga Vlora deri në Orikum janë pushtuar nga pushuesit maqedonas, të cilët duket se e kanë "braktisur" Greqinë, pas acarimit të marrëdhënieve të vitit të kaluar midis dy shteteve. Kjo ka bërë që maqedonasit t‘i drejtohen bregdetit shqiptar dhe në veçanti atij vlonjat për të pushuar me familjet e tyre. Informacioni nga miqtë dhe shumë pak nëpërmjet internetit, i ka "grishur" për të vizituar plazhet e pastra, të bukura dhe të qeta vlonjate. Sipas tyre, plazhet e bregdetit të Shqipërisë kanë nevojë për më shumë publicitet, në mënyrë që të tërhiqen të huajt. I pyetur nga "Shqip", një prej pushuesve maqedonas ka thënë se plazhet e Greqisë nuk kanë ndonjë ndryshim nga plazhet e Vlorës. "Po të punohet pak më shumë, Shqipëria do mund të arrijë standardet europiane për nga shërbimi, ashtu dhe nga infrastruktura. Këtu, në këtë zonë, unë vij me familjen gati çdo vit, pasi më pëlqen pastërtia e detit, por dhe çmimet e favorshme, që janë disi më të ulëta se në vendet e tjera që kanë të njëjtin shërbim dhe të njëjtin det. Unë kam ftuar dhe miq të mi maqedonas, pasi kam mbetur vërtet i mrekulluar nga plazhi i Vlorës".