E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, këtë vit plazhi "do të marrë frymë"

Plazhi i Velipojës, si gati i gjithë bregdeti shqiptar, është "pushtuar" nga ndërtimet pa leje. Në Velipojë, gjatë këtij viti, pushteti lokal ka marrë masa për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe rikthimin e brezit ranor pushuesve. "Dy vitet e fundit kemi liruar një hapësirë prej 40 ha nga prishja e një pjesë të atyre ndërtimeve pa leje. Ndërkohë dua të theksoj se të gjitha ndërtimet pa leje që bëhen pengesë për zbatimin e planit rregullues të vitit 2003, do të prishen. Kjo do thotë se nëse në planin rregullues është parashikuar të kalojë rruga dhe në të ndodhet një hotel, ky i fundit do të prishet, pavarësisht se kujt i përket apo sa ka kushtuar ndërtimi i tij", ka thënë prerë kryetari i Komunës së Velipojës, Nikoll Marku.

Por, në këtë zonë turistike, pas viteve 1992 deri më sot, janë ngritur rreth 2700 ndërtime pa leje. Përveç 5-6 ndërtesave, gjithë të tjerat nuk kanë leje ndërtimi, por kanë ruajtur rërën e plazhit. I gjithë plazhi ka një distancë të bollshme rreth 300 m nga bregu i detit deri te ndërtesat e para. Velipoja i ngjason një bregdeti të virgjër, ende të pazbuluar nga guidat turistike të huaja. Rëra e pastër dhe e pasur me jod, si dhe uji i kthjellët i detit, i japin kësaj zone jo vetëm vlera të rralla turistike, por edhe kurative. Por mungesa e investimeve dhe marrja seriozisht nga shteti ka bërë që për këtë zonë turistike të kujdeset vetëm natyra dhe "mëshira" e njerëzve që nuk kanë ndërtuar buzë bregut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›