E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama bën publike kushtet për PD-në

24/03/2011  Procesi zgjedhor për vendoret, PS mesazhe paralajmëruese për mazhorancën

Kërkesat/Listat e votuesve, verifikim i kartave të identitetit, miratimi i parimit të transparencës

Partia Socialiste shtoi dje dozën e presioneve ndaj mazhorancës qeverisëse lidhur me procesin zgjedhor të 8 majit. Në një dalje publike vetë kreu i kësaj force politike rreshtoi kushtet për qeverinë “Berisha” sa u takon garancive për zhvillimin e zgjedhjeve brenda standardeve. Në rast të mos realizimit të këtyre kushteve, lidershipi socialist paralajmëroi përshkallëzimin e qëndrimeve të kampit opozitar.

Deklarata

Kreu i PS-së, Edi Rama, zgjodhi të bëjë dje publike kërkesat e partisë që ai drejton lidhur me procesin zgjedhor të 8 majit. “Së pari, ne kemi kërkuar dhe këmbëngulim në transparencën e listave zgjedhore bazuar në Kodin Zgjedhor. Sipas këtij kodi, gjashtëdhjetë ditë para zgjedhjeve asnjë shtetas shqiptar nuk mund të ndryshojë vendbanim për qëllim elektoral, çka do të thotë se pas datës 8 mars asnjë person nuk mund të ndryshojë qendrën e tij të votimit”, - vuri në dukje Rama. Njëkohësisht, sipas tij, një tjetër kusht i PS-së konsiston në faktin se kjo parti kërkon pajisjen e komisioneve me instrumente për verifikimin e kartave të identitetit të çdo votuesi. Në vazhdën e këtyre kërkesave Rama u ndal dhe në një tjetër çështje. “Së treti, Partia Socialiste kërkon miratimin e parimit të transparencës, sipas të cilit çdo forcë politike që do të kërkojë transparencë apo hetimin mbi kutitë e votimit apo materialet zgjedhore pas shpalljes së rezultatit zgjedhor do të ketë të drejtën për ta bërë këtë transparencë, në mënyrë që në kushtet e Shqipërisë të shmanget një pjesë e konsiderueshme e korrupsionin elektoral”, - vlerësoi Rama lidhur me këtë çështje.

Qëndrimi

“E vetmja mënyrë që zgjedhjet të mos mbyten në llumin e manipulimeve është qëndresa jonë, dhe kjo është e sigurt në çdo hap, ndërkohë që, në qoftë se lista e zgjedhësve nuk do të na jepet menjëherë në dispozicion, sikundër e kemi kërkuar zyrtarisht në bazë të ligjit, të kodit zgjedhor ekzistues, ne do të përshkallëzojmë veprimin tonë kundër këtij pushteti, që kërkon të rivjedhë votat për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë, të cilën e grabit dhe e vjedh pikërisht sepse nuk është aty ku është me vota, por me vjedhje”, - deklaroi Rama gjatë fjalës së tij. Në këtë mënyrë, socialistët kanë nisur të bëjnë publike presionet ndaj shumicës në pushtet për të reflektuar mbi qëndrimin e tyre ndaj kërkesave të së majtës.

Procesi

Lidershipi socialist shfaqet skeptik lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Kështu, gjatë fjalës së tij kreu socialist Edi Rama veçoi: “Vetëm thuajse gjashtë javë para zgjedhjeve të 8 majit nuk ka ndryshuar asgjë dhe nuk ka asnjë garanci që na shtyn të mendojmë se procesi i ardhshëm zgjedhor do të jetë ndryshe nga ai i mëparshmi. Zgjedhjet e 8 majit janë plotësisht në rrezik, ndërsa shqiptarët nuk mund të rrezikojnë të kenë një tjetër farsë si ajo e dy vjetve më parë, pa standarde dhe pa transparencë, që do të fundoste edhe më thellë besimin e çdo shqiptareje e çdo shqiptari tek e drejta e votës dhe zgjedhja e lira.”

Mesazhi

“Apeli im sot për Saliun është të dorëzojë urgjentisht, sipas ligjit, kodit zgjedhor ekzistues, listën paraprake të datës 8 mars, e cila konsiderohet lista përfundimtare paraprake, pas të cilës nuk mund të bëhen më përditësime dhe as lëvizje të zgjedhësve nga njëra njësi në tjetrën apo nga njraë qendër në tjetrën, gjë që fatkeqësisht po ndodh, duke yshtur në rrugën e shkeljes së ligjit qytetarë e qytetare të këtij vendi të spostohen duke shkuar në ato zona ku humbja e Saliut dhe e regjimit të kusarëve është e sigurt dhe ku e vetmja kamerdare që mund të imagjinojë Saliu dhe ky regjim për ti shpëtuar përmbytjes së 8 majit janë manipulimet”, - u shpreh Rama.

Listat e zgjedhësve

PS-PD replika për moszbatimin e ligjit

Përfaqësuesit socialistë dhe ata demokratë janë përfshirë në një tjetër përplasje mes tyre, e konkretisht për listat e zgjedhësve dhe punën reale të bërë mbi to. Kështu, socialistë nga ana e tyre pretendojnë se mazhoranca qeverisëse po ndërhyn në këto lista, duke regjistruar në disa zona banorë të ardhur në kundërshtim me atë çfarë përcakton ligji. Ndaj përfaqësuesit e majtë kërkojnë listën e përditësuar të zgjedhësve. Por kundrejt pretendimeve të tyre drejtori i Gjendjes Civile, Armand Teliti, argumentoi “Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u bën me dije se në bazë të nenit 57 të Kodit Zgjedhor është e detyruar të vërë në dispozicion subjekteve zgjedhore lisat paraprake dhe listat përfundimtare. Sqarojmë se Kodi Zgjedhor nuk e njeh konceptin e listës paraprake të përditësuar, por vetëm listë paraprake dhe përfundimtare. Çdo parti që ka paraqitur kërkesë për listat e ka marrë atë në formatin elektronik të kërkuar.” Madje, Teliti bëri përgjegjës Ramën për listat e Tiranës.“Listat e zgjedhësve nuk prodhohen në nivel qendror, nuk korrigjohen në nivel qendror, por në nivel lokal dhe përgjegjës për këtë janë punonjësit e gjendjes civile në zyrat lokale të njësive bashkiake të Tiranës”, - u shpreh ai. Ndërkohë deputeti i PS-së Armando Subashi në emër të kësaj partie i bëri thirrje drejtorit të përgjithshëm të Gjendjes Civile që “të mos vërë dorë mbi listën e zgjedhësve, të mos shtojë në lista ata persona që po detyrohen me forcë dhe me kërcënimin e pushimit nga puna të ndryshojnë vendbanimin”. Njëkohësisht, Subashi i kujtoi Telitit se “është shkelje e rëndë e ligjit dhe me pasoja penale pasqyrimi në lista i gjitha lëvizjeve të shtetasve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile pas datës 8 mars 2011”.

Ligjvënësit socialistë në terren për verifikimin e listave

Deputetët e Partisë Socialiste përfaqësues të kryeqytetit në Kuvendin e Shqipërisë kërkuan nga njësitë bashkiake të drejtuara nga shumica qeverisëse listat e votuesve. Kështu, të shpërndarë në disa prej këtyre njësive, ligjvënësit socialistë këmbëngulën në një çështje të tillë dhe mosrealizimi i kësaj kërkese solli jo pak incidente gjatë qëndrimit të tyre në godinat e njësive vendore, për shkak se drejtuesit e tyre nuk vunë në dispozicion të përfaqësuesve socialistë listat e kërkuara. Madje, përkundrejt këtyre pretendimeve krerët e njësive bashkiake u cituan deputetëve socialistë nenet që sanksionojnë dhe saktësojnë plotësimin e kërkesavee të ardhur nga palët. Të ndodhur në njësinë bashkiake nr. 3, deputetët Ilir Gjoni, Erion Braçe kanë argumentuar kërkesën tyre me faktin se “ka njerëz që nuk janë regjistruar fare në listat e votuesve, ka njerëz që brenda një familjeje dikush është lënë në listën e votuesve të rrethin nga ka ardhur, ndërkohë që bashkëshorti apo bashkëshortja figurojnë në njësinë tonë. Si dhe problemi i përhershëm i të vdekurve”. I ndodhur në njësinë bashkiake nr. 8, deputeti Eduart Shalsi u shpreh se “kemi ardhur sot për ti kërkuar kryetarit të njësisë nr. 8 të na japë informacion çndodh pas datës 8 mars. Ju të gjithë e dini që data 8 mars ishte afati i fundit i ndryshimit në listat e zgjedhësve”.

Saimir Tahiri

“Kemi ardhur këtu që të kërkojmë listat dhe të garantojmë të drejtën e çdo qytetari për të votuar një herë dhe për të qenë i sigurt që vota e tij të numërohet një herë. Siç u bëjmë thirrje jo vetëm kryetares së njësisë këtu, por i bëjmë thirrje nga Saliu te Luli e të gjithëve të mos provojnë të vënë dorë mbi votën e qytetarëve, sepse do ta paguajnë shumë shtrenjtë. Ne do jemi këtu sot, nesër, pasnesër, deri më 8 maj. Ne duam listat.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›