Incidenti në Bërnjak, KFOR hap vendkalimin

Misioni paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, i udhëhequr nga NATO, bën të ditur se është hapur vendkalimi në Bërnjak, në pjesën veriore të Kosovës, pas “incidentit në mëngjes, ku një granatë dore shpërtheu në afërsi, ndërsa granata e dytë nuk kishte shpërthyer, por ishte gjetur në rrugë”.
Në njoftimin e KFOR-it, ky vendkalim përshkruhet si “pikë-kalim administrativ në Bërnjak”.
Më tej KFOR njofton se shpërthimi i granatës së parë nuk ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa e dyta
është shkatërruar nëpërmjet “eksplodimit të kontrolluar” të kryer nga ekipi i KFOR-it.
EULEKS-i dhe policia e Kosovës, pasi i kanë kryer shqyrtimet e tyre në vendin e ngjarjes, po vazhdojnë ta hetojnë këtë çështje.
“KFOR-i përsëri e dënon këtë përdorim totalisht të papranueshëm të dhunës, që do të kundërshtohet fuqishëm nga KFOR-i”, thuhet në njoftimin për media.