Klosi: Opozita, e vendosur për transparencën
Rreth 3 javë grevë urie nga ana e Partisë Socialiste duket se kanë krijuar stimuj të rinj politikë te përfaqësuesit e saj. Një prej nismëtarëve të ngujimit në çadrën para selisë së qeverisë, deputeti Blendi Klosi deklaroi dje se aksioni i fundit i opozitës thjesht ka shtuar arsyet e qëndresës ndaj qeverisë dhe ka zbuluar perspektiva të reja politike. “Sot opozita shqiptare është akoma edhe më e bashkuar dhe më e vendosur për t’i shkuar çështjes së transparencës deri në fund. Falë aktivitetit të 3 javëve të fundit, aktiviteti opozitar ka hyrë në një fazë të re, në një komunikim të ri. Opozita sot është më pranë njerëzve, më afër problemeve të tyre. Një opozitë me njerëzit për njerëzit”, u shpreh ai. Platforma e instaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka shërbyer kështu si mjedis unifikimi, edhe pse i përkohshëm, mes socialistëve, duke thyer hierarkitë që rëndom karakterizojnë jetën partiake. Deputetë dhe qytetarë, të ngujuar në 19 ditë në një çadër të përbashkët, janë përtej politikës, pjesëmarrës në një histori të përbashkët që gjithsesi përjetohet edhe në aspektin njerëzor. Në një vështrim politik, aksioni opozitar po i serviret opinionit edhe si një përvojë, prej nga ku ekipi drejtues socialist ka se çfarë të mësojë për të korrektuar gabimet e kryera më 2009-n. Nga ana e tij, Klosi ka shkuar edhe më tej, teksa ka ofruar një sondazh me shifra të rrumbullakosura të mbështetjes popullore, që janë baza e rezistencës së mëtejshme. “Tashmë mbështetja e mbi 1 milion shqiptarëve anembanë vendit na ka bërë një opozitë më të fortë, të gatshëm dhe të vendosur për ta çuar deri në fund kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha ai. Paralajmërimi për të vijuar me protesta vjen nga Tirana paralelisht me bisedimet që dy politkkanët kryesorë në vend zhvillojnë në Strasburg me ndërmjetësimin e përfaqësuesve europianë. Me vlerësimin maksimal për suksesin e grevës së urisë, deputeti Blendi Klosi nuk ka munguar që të përcjellë edhe një falënderim për pjesëmarrësit, mbështetësit, por edhe protestuesit, që për 20 ditë rresht kanë qenë prezent në sheshe dhe në rrugët e Shqipërisë.
#