Incidenti në qelitë e 313, Dibra takon të burgosurit
• Gazmend Dibra, kreu i Burgjeve, ka vizituar të paraburgosurit kryeqytetas pas disa incidenteve të ndodhur pak ditë më parë nëpër qeli.Fatos MahmutajInstitucioni i drejtuar nga Dibra pohoi dje zyrtarisht: “Duke marrë shkas nga disa ankesa të disa individëve në Burgun 313, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, ka marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme dhe ka shkuar personalisht për të biseduar me të burgosurit dhe për të negociuar mbi shqetësimet e tyre”. Nga të paraburgosurit, kryesisht të Krimeve të Rënda, janë ngritur si shqetësime kryesore mënyra e komunikimit të policisë së burgjeve me ta, higjiena e ushqimit të ofruar nga institucioni, zgjatja e kohës së ajrimit dhe kohëzgjatja e takimit me familjarët. Pasi është njohur me problemet e të burgosurve dhe ka diskutuar me ta për të gjetur zgjidhjet, Dibra është larguar nga burgu. Marrëveshja Pas takimit me kreun e Burgjeve, të paraburgosurit ranë dakord se revoltat apo iniciativa të tjera të kësaj natyre nuk janë elementë që mund të çojnë në zgjidhjen e problemeve të tyre. Ndërkohë, nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve pohoi dje se ka marrë të gjitha masat për të parandaluar çdo trazirë në këtë institucion. Një mënyrë për të evituar incidentet e pakëndshme apo situata të tjera të tilla në burg është vlerësuar përpjekja nga ana e burgjeve për t’i dhënë zgjidhje shqetësimeve të paraburgosurve. Vizita e Dibrës në Burgun 313 ka pasur si qëllim edhe marrjen e masave nga institucioni që ai drejton për një trajtim të veçantë të të burgosurve, duke shtuar normën e re ushqimore dhe duke krijuar një ambient sa më të volitshëm për festimin normal të festës së Sulltan-Novruzit dhe Pashkës.“Revolta”Vetëm pak ditë më parë, disa të paraburgosur të Krimeve të Rënda, mes tyre edhe Indrit Dokle, njëri nga krerët e Bandës së Durrësit, u përfshinë në një incident me punonjësit e policisë së burgut, të cilët u ndaluan futjen e ushqimeve nga familjarët. Grindja precipitoi në zënkë midis tyre, ndërsa pas kësaj Dokles dhe disa të paraburgosurve të tjerë iu ndryshua qelia, duke i izoluar në katin e parë të burgut. Pas kësaj ata ndezën dyshekët dhe vetëm ndërhyrja në kohë e policëve shpëtoi burgun nga zjarri. Këtë incident, burime pranë të paraburgosurve e komentuan si revoltë, madje u pretendua edhe për dhunë ndaj tyre nga ana e policisë. Thuajse të njëjtën gjë pohuan edhe burime konfidenciale nga ky burg. Ndërsa aktualisht situata në të është e qetë, në të cilën ka ndikuar jo pak edhe vizita e Dibrës.