E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skaneri i spitalit, gati pas 4 vjetësh

• KORÇE - Aparati i skanerit, i mbërritur në urgjencën e spitalit të Korçës në dhjetor të vitit 2004, vetëm ditët e fundit ka filluar të funksionojë.Janë dashur më shumë se tre vjet që të bëhen ekzaminimet e para me këtë aparaturë aq të nevojshme për gjithë pacientët e zonës juglindore të vendit. Tani ata nuk do të jenë të detyruar që të udhëtojnë në Tiranë dhe Greqi për të kryer një ekzaminim me skaner. Edhe pse për skanerin u tha që u prish, sipas burimeve brenda urgjencës, ai asnjëherë nuk u vu në punë nga firma që e solli në këtë institucion kundrejt vlerës prej 44 milionë lekësh. Mësohet se skaneri i kësaj urgjence është i tipit spiral, i markës "Filips" dhe u dorëzua nga firma tenderuese "Furtuna Albania". Në atë kohë u deklarua se ishte blerë me fonde të qeverisë shqiptare për urgjencën e re që po ndërtohej në Korçë. Pas përfundimit të ndërtimit të godinës së urgjencës në korrik 2005, për muaj me radhë u bënë provat për vënien në punë të kësaj aparature. Por ai nuk punoi as edhe një javë dhe çuditërisht u prish, edhe pse inxhinierët, montuesit dhe përfaqësuesit e firmës tenderuese ishin ende në Korçë duke bërë prova. Sipas mjekëve specialistë, skanerit i ishte dëmtuar memoria, pasi një virus ishte futur në sistemin drejtues të tij, por kjo nuk u tha asnjëherë zyrtarisht. Mësohet se ish-drejtuesit e spitalit, edhe pse ligji e parashikonte që duhej të paguanin 90 për qind të vlerës së aparaturës dhe 10 për qind ta paguanin në përfundim të garancisë, e likuiduan firmën tërësisht. Kjo bëri që firma "Furtuna Albania" të mos interesohej për vënien në punë të skanerit. Gjatë këtyre tre vjetëve drejtuesit e qendrës spitalore kanë kërkuar vazhdimisht vënien në punë të kësaj aparature, pasi në mungesë të saj pacientët detyroheshin të shkonin në Tiranë dhe në Greqi. Ndërkohë qendra spitalore e Korçës vuri në dijeni edhe Ministrinë e Shëndetësisë për prishjen e skanerit dhe kërkoi ndihmën e saj për ta detyruar firmën që të vërë në punë aparaturën. Ata erdhën vetëm para një muaji dhe pas përpjekjesh e provash të shumta, më së fundi deklarohet se skaneri është vënë në punë.                        j.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›