E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopliku, për herë të parë me qendër qyteti

• Për herë të parë që nga krijimi i tij si qytet, Kopliku do të ketë qendrën e vet dhe planin rregullues të tij.KOPLIK/ RITVAN DIBRA Financuesja e këtij projekti që kap shifrën e 100 mijë eurove do të jetë qeveria spanjolle. Burime pranë Bashkisë së Koplikut pohojnë se me këtë investim është parashikuar të bëhet plani rregullues i qytetit si dhe të zgjidhen problemet mjedisore. Bashkia e Koplikut e ka konsideruar mungesën e një plani rregullues si një nga problemet më serioze, pasi pengonte zhvillimin në perspektivë të qytetit. Në përfundim të këtij projekti, pritet që qytetit i Koplikut të ketë një fytyrë bashkëkohore, që deri më sot i ka munguar. Kryetari i Bashkisë së Koplikut, Ramadan Lika, u shpreh se nuk do të jepet asnjë leje ndërtimi pa pasur të qartë një plan perspektive për zhvillimin e qytetit. "Asnjëherë Kopliku nuk ka pasur një plan rregullues, i cili të japë kahun e zhvillimit, të përcaktojë nga do të zhvillohet qyteti dhe të krijojë fytyrën e tij", tha më tej Lika. Mungesa e këtij plani rregullues ka bërë që dhe ndërtimet e bëra gjatë këtyre 17 viteve në Koplik, vetëm të dëmtojnë nga ana urbanistike zhvillimin e qytetit. Nisur nga ky realitet, drejtuesit lokalë të Koplikut kanë vendosur që të mos japin leje ndërtimi pa pasur të qartë orientimin nga do të zhvillohet qyteti. Duke qenë se Bashkia e Koplikut e kishte të pamundur që me fondet e saj të mbulonte koston e një studimi për planin rregullues, atëherë vendosi të kërkojë ndihmën e donatorëve të huaj. Kërkesës së drejtuesve lokalë i është përgjigjur pozitivisht qeveria spanjolle, e cila ka deklaruar se do të japë 100 mijë euro për planin rregullues të qytetit. Burime pranë bashkisë pohojnë se brenda kësaj shume parashikohet të punohet dhe për ruajtjen e vlerave mjedisore të zonës së Koplikut, e pasur me resurse natyrore. Zhvillimet e mëdha të 17 viteve të fundit i kanë gjetur të papërgatitur plotësisht strukturat lokale. Kjo ka bërë që qyteti i Koplikut të ketë më shumë pamjen e një fshati sesa të qytetit. Mungojnë pallatet, ndërtesat e larta si dhe rrugët. Përkundrazi, gjatë këtyre viteve janë ndërtuar shtëpi që s'kanë lidhje me njëra-tjetrën, janë improvizuar rrugë pa perspektivë zhvillimi. Bashkia e Koplikut aktualisht është nën presionin e ndërtuesve që duan të investojnë dhe mungesës së planit rregullues. Sipas kryebashkiakut Lika, nuk do të ketë asnjë lëshim. Qyteti i Koplikut, qendra e Malësisë së Madhe, pritet që së shpejti të ketë fytyrën e saj bashkëkohore.Nis rikonstruksioni i PjacëSSHKODER - Përfundimisht ka nisur rikonstruksioni i Pjacës. Sipas kreut të Monumenteve në Shkodër, Ervin Gjini, Ministria e Kulturës ka zgjidhur qesen për të investuar në këtë qytet. Gjatë dy viteve të fundit (2007-2008) janë investuar dhe pritet të akordohen rreth 70.1 milionë lekë. Nga këto investime objektet që përfitojnë janë ato të cilat ndodhen në rrugën karakteristike të Pjacës, shtëpitë muze që ndodhen në lagje të ndryshme të qytetit, si dhe kalanë shekullore "Rozafa". Gjini sqaron se ky fond i akorduar nga buxheti i shtetit bën që pas një periudhe rreth 20 vitesh, të vihet dorë për restaurimin e fasadave në rrugën e Pjacës. Rruga muzeale apo Pjaca është projektuar nga i madhi Kolë Idromeno dhe ka filluar të ndërtohet para më shumë se 100 vitesh dhe e njohur për vlerat e saj arkitekturore. Puna ka nisur që në fund të vitit 2007 dhe pritet që të mbarojë brenda një kohe të shkurtër, duke bërë kështu kthimin e pjesëve të jashtme të ndërtesave në pamjen e dikurshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›