E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv te Federates Shqiptare te Futbollit

Në mbledhjen e parë për vitin 2012, Komiteti ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit ka shqyrtuar disa prej çështjeve më të rëndësishme të sportit më popullor në vend.
Një vend kryesor në rendin e ditës, kishte kërkesa e klubit kosovar, FK Prishtina, për t’iu bashkuar Superligës shqiptare dhe për ti shpëtuar izolimit të futbollit kosovar nga arena ndërkombëtare.
Organi vendimmarrës në FSHF u shpreh parimisht “pro” kërkesës së klubit të kryeqytetit kosovar, duke e mbështetur si ide. Megjithatë, realizimi i saj nuk do të jetë i thjeshtë, pasi Ekzekutivi ka theksuar se “kjo çështje duhet parë shumë më gjerë, jo vetëm në aspektin juridik, por edhe nga ai institucional”. E përkthyer ndryshe, asgjë nuk mund të bëhet pa mbështetjen e FIFA-s dhe UEFA-s.
KE ka diskutuar edhe disa ndryshime në gjobat që marrin lojtarët, por mbi të gjitha klubet gjatë kampionatit. Edhe pse I miratuan me vetëdije masat ndëshkimore, drejtuesit e shumë skuadrave i kanë cilësuar mjaft të larta dhe deri diku të papërballueshme dënimet financiare. Për këtë arsye, federata ka pranuar në parim që të ulë me 50 për qind disa nga gjobat e “ekzagjeruara”, që shkojnë edhe deri në 15 milionë lek të vjetra dhe të rrisë ndëshkimet sportive.
Ndërkohë, u miratua rregullorja e licencimit të klubeve, që do të bëhet sipas rekomandimeve të UEFA-s. Aty parashikohet që klubet e futbollit të plotësojnë disa kritere financiare për pjesëmarrjen në aktivitetet e organizuara nga FSHF, por edhe disa kritere në infrastrukturë.
Ekzekutivi diskutoi edhe për strategjitë që do të përdoret në shitjen e të drejtave televizive të Kombëtares shqiptare për kualifikueset e Kupës së Botës, Brazil 2014. Qëllimi është që të përfitohen sa më shumë të ardhura, pasi ky është edhe burimi kryesor financiar i Federatës së Futbollit.
Një tjetër pikë e diskutuar ishte edhe rregullorja për kontrollet kundër substancave të ndaluara, e paraqitur nga Komisioni Kombëtar Anti-Doping. Në parim, Komiteti Ekzekutiv është shprehur dakord, që ky organ të kryejë kontrollet e nevojshme nëpërmjet Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, por mbeten për t’u diskutuar disa nene të veçanta për të cilat FSHF-ja, bazuar në rregullat antidoping të UEFA-s e FIFA-s, ka rezerva.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›