Indeksimi – mundësi apo demagogji e radhës
• Dr. Zef PreçiRritja e çmimit të bukës si aspekt i krizës ekonomike u bënë disa javë që në qendër të vëmendjes së opinionit publik është vënë problemi i rritjes së përgjithshme të çmimeve që kulmoi me rritjen e çmimit të shitjes së bukës, në mënyrë të njëkohshme në të gjithë vendin fill mbas deklarimit të kryeministrit se “çmimet janë rezultat i lojës së lirë të tregut dhe se qeveria nuk ka ndërmend të ndërhyjë për uljen e çmimet të bukës”. Kjo deklaratë u mbështet vetëm nga ministri i Financave, ndërsa institucionet e tjera, të zëna “gafil” u përpoqën të sqarojnë publikun në mënyrën e vet. Kështu Drejtoria e Doganave dhe ndonjë drejtues i lartë i Ministrisë së Bujqësisë sqaruan me korrektesë se megjithë zhvillimet kaotike në tregun botëror të mallrave bujqësore si gruri, etj., të paktën gjatë 4-5 muajve të fundit nuk ka pasur rritje të çmimit në bursat përkatëse dhe as në çmimet e importimit të tyre në Shqipëri; se prodhimi vendas mbulon jo më shumë se 1/3 e konsumit vjetor të grurit në shkallë kombëtare, etj. D.m.th., në rritjen e çmimit të bukës, “shkaqet e jashtme” rezultojnë thuajse të përjashtuara, megjithë kujdesin e kreut të qeverisë për të kërkuar shkaqet jashtë punës së kabinetit të tij duke mbajtur larg vëmendjen e publikut nga problemi shqetësues i krizës së inflacionit të hapur dhe të fshehtë që ka pllakosur vendin prej muajsh. Në të njëjtën kohë, Autoriteti i Konkurrencës u shfaq me deklaratat dhe kërcënimet e rastit për hetime të mundshme, mbasi kishte gjobitur me 3 milionë lekë të vjetra një furrtar në Fier… afërsisht sa ç’është fitimi mujor i një furre buke që shërben një fshat me 200 shtëpi!. Kuptohet se ç’efekt mund të ketë kjo gjobë në frenimin e krizës ekonomike e të varfërisë që vjen prej saj (?!). Dikush tjetër deklaroi se kostoja e prodhimit të një buke që shitet 100 lekë ishte vetëm 56 lekë, ndërsa një numër programesh kontrolli të fabrikave e furrave të prodhimit të bukës u shpallën, ndonëse çmimi i shitjes së bukës tashmë është ngritur në të gjithë vendin dhe askush nuk mund thotë nëse qeveria ka ndërmend të shpallë ndonjëherë uljen e tij. As paqja politike pozitë-opozitë në pritje të ftesës për anëtarësim në NATO nuk e ndihmoi qeverinë “të kapërcejë me sukses” si deri më sot këtë shqetësim publik në rritje. Paralelisht, një debat i hapur në Kuvendin e Shqipërisë provoi se edhe pas tre vjetësh nga ardhja në pushtet e qeverisë aktuale, vendi vazhdon të qeveriset “në emergjencë”, d.m.th., në mënyrë gati-gati qorre, ndërsa “sytë” e saj siç janë p.sh., Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe një mori institucionesh të reformuara vetëm politikisht dhe të shndërruara në strehë privilegjesh për turlilloj militantësh me dhe pa merita partiake, futen “veshët në lesh” dhe as që duan t’ia dinë për problemet e qytetarëve, votuesve, taksapaguesve. Mjafton ndjekja e një çerek ore e bashkëbisedimit të tyre me gazetarin e mirënjohur B. Hoxha të televizionit “News 24” sapo zbardhin sytë për të kuptuar se ç’mendojnë realisht këta të fundit për qeverinë dhe ekonominë e vendit. Si për t’i vënë kapak kësaj historie, ende pa u kthyer mirë nga Tokio në Tiranë kryeministri dhe çereku i kabinetit të tij (ndonëse nuk nënshkruan asnjë marrëveshje, megjithë karakterin “historik” të vizitës), u gjet fajtori: “spekulimi në treg nga importuesit e grurit dhe prodhuesit e bukës”, por aspak qeveria me politikat ekonomike të saj!. D.m.th., tehu i sulmit qeveritar u drejtua ndaj sektorit privat, e kësisoj qeveria shpreson edhe kësaj here se “do ta hedhë lumin pa u lagur”. Mbas kësaj, duke braktisur çfarë kishte deklaruar para dy javësh për “mosndërhyrje” të qeverisë së tij mbi çmimet, kryeministri Berisha e korrigjoi vetveten. “Qeveria nuk përcakton çmimet në një vend të lirë, por qeveria merr përsipër të indeksojë plotësisht dhe tërësisht lëvizjen e tyre. Unë po flas për indeksim, por deri tani ka qenë disa herë indeksim, pasi e vërteta është se lëvizjet që kemi bërë me ndihmën ekonomike, pensionet e invaliditetit, pensionet e pleqërisë dhe me rrogat, të gjitha së bashku janë shumë herë më tepër se indeksim”, deklaroi ai dy ditë më parë. Le të merremi pak më shumë me kuptimin e kësaj deklarate.Së pari, nuk përbën asnjë sekret për asnjeri në këtë vend se tashmë janë rritur çmimet e të gjitha mallrave të konsumit të përditshëm, pra jo vetëm të bukës, por gjithçka që ne duam të kemi në tavolinat tona tre herë në ditë, madje edhe sendet e luksit, etj. Përndryshe, shqiptarët në vitin 2007 ishin më të varfër se një vit më parë, d.m.th., ra miti i “vitit më të suksesshëm në 17 vitet e fundit”, të paktën për ata që jetesën e mbështesin në punën e vet… Aq më tepër kur dihet se më shumë 2/3 e mallrave bazë të konsumit të familjeve shqiptare vjen nga jashtë dhe se çdo ndryshim në rritjen e çmimeve që ndodh në tregjet perëndimore pasqyrohet menjëherë në ekonominë tonë, por nuk reflektohet kurrë ndryshimi në rënie i tyre në vendet apo në bursat e mallrave tona të importit. D.m.th., në horizont janë shfaqur shenjat e një krize ekonomike, e shprehur kjo në kërcënimin evident të inflacionit, në karakterin monopolistik dhe oligopolistik të importimit dhe tregtimit të mjaft mallrave të “forta”, në deformimet në menaxhimin e borxhit publik, etj. Disa prej këtyre rreziqeve kanë qenë paralajmëruar edhe nga deklaratat publike të FMN-së dhe nga institucione të tjera ndërkombëtare në kohën që diskutohej në Kuvend buxheti i shtetit i vitit 2008 (kërcënim i inflacionit, kapacitet e kufizuara të qeverisë për të menaxhuar investimet publike, etj). Së dyti, rritja e përgjithshme e çmimeve nuk është se filloi këto dy-tre javë që ky problem po diskutohet gjerësisht dhe publikisht. Diskutimi vetëm se zhvendosi natyrshëm vëmendjen e publikut nga betejat kalorsiake të qeverisë me institucionet dhe pushtetet e tjera drejt thelbit të vetë qeverisjes – mirëqenies së qytetarëve. Sepse janë të paktën dy zhvillime që provojnë se kriza kishte trokitur prej më shumë se një viti. Njëri - paralel me krizën e çmimeve - ishte rritja çdo tre-katër muaj e normës së interesit bankar nga Banka e Shqipërisë në përpjekje të bashkë-renduara me qeverinë për të mbajtur nën fre inflacionin që po gërryente kursimet e popullsisë dhe ndëshkonte përherë e më rëndë pjesën me të varfër të saj. Tjetri - pak muaj përpara rritjes së çmimit të bukës - ishte “rishikimi” i listës së “mallrave të shportës” që përdoret për llogaritjen e inflacionit. D.m.th., në pamundësi objektive për të ulur inflacionin e duke njohur efektet shkatërrimtare të tij në një ekonomi të brishtë si kjo jona, qeveria përmes INSTAT-it nxitoi të rishikojë dhe të shkurtojë listën e mallrave të shportës mbi të cilën llogaritet inflacioni. Kuptohet kjo u bë me qëllim që të paktën aritmetikisht, niveli zyrtar i inflacionit të dalë sa më i vogël dhe të jetë “nën kontroll”. Në të vërtetë, heshtja e derisotme e INSTAT është dëshmia më e mirë e përpjekjeve për të fshehur realitetin e dhimbshëm që ka prodhuar “qeverisja në emergjencë” mbi qytetarët e vendit. Madje për pabesueshmërinë e të dhënave makro-ekonomike të këtij institucioni dhe publikimin e tyre nën ndikimin e interesave politike të momentit ka shprehur shqetësimin e vet jo shumë kohë më parë edhe zyra e FMN-se në Tiranë. Aq e vërtetë është kjo sa në përpjekje për të siguruar ndonjë informacion në funksion të këtij shkrimi, në faqen zyrtare të internetit të INSTAT gjeta edhe çmimet e hollësishme të botimeve/buletineve të saj, për çmimin e grurit, misrit, vajit, sheqerit, orizit, etj. Gjeta se vetëm botimi “Mbi Varfërinë” nuk kishte çmim (kuptohet se këtë çmim e paguajnë drejtpërdrejt qytetarët); mungonte edhe “çmimi” sa u kushton taksave tona mbajtja në(n) këmbë të këtyre lloj institucionesh publike që… heshtin e heshtin… në “shenjtërinë e tyre”. Megjithatë pohohej se sa i takon indeksit të çmimeve të konsumit, gjatë vitit 2007 “rritjet më të mëdha vjetore vërehen në grupet “Ushqime dhe pije alkoolike” me 5.4 për qind” (pra as sipas INSTAT 2007-a nuk paska qenë viti më i mirë i shekullit(!).2. Indeksimi si instrument ekonomik për zbutjen e krizës.Tani të kthehemi tek indeksimi dhe kompensimi kryeministror i shpallur dy ditë më parë. Në shkencat ekonomike mësohet se indeksimi (një korrigjim monetar i përdorur fillimisht në Brazil në periudhën 1964-1994) bëhet me qëllim që të mbahet e lartë fuqia blerëse e popullsisë mbas periudhash inflacioniste. Sipas kësaj teknike, mbrohet vlera reale e atyre që paguhen (qytetarëve) dhe rreziku i inflacionit efektivisht transferohet drejt atyre që paguajnë (qeveria, biznesi, etj). Në botë është zbatuar për pagesat e pensioneve, qirave dhe në situata të tjera, të cilat nuk janë subjekt i rivlerësimeve në treg. Me fjalë të tjera, përmes këtij instrumenti, barra e inflacionit përcillet nga njëri grup social në tjetrin. Kështu nëse qeveria aktuale do të mbrojë p.sh., pensionistët (gjë që për hir të së vërtetës qeveritë shqiptare qysh nga vitit 1992 kanë tentuar ta bëjnë herë pas here), atëherë ajo rrit peshën e taksave mbi taksapaguesit në tërësi. Por, për fat të keq (dhe kjo është argumentuar qartësisht edhe në teorinë ekonomike), kur kriza prek gjithë shoqërinë si në rastin tonë të çmimit të bukës, dhe qeveria merr përsipër “të indeksojë plotësisht dhe tërësisht lëvizjen” e çmimeve, siç deklaroi kryeministri, atëherë lind pyetja se kush do të paguajë për këtë indeksim dhe kompensimin përkatës monetar që rrjedh prej tij? Me siguri që dikush do të thotë se vlera e kompensimit monetar të rritjes së çmimit të bukës (nëse do të bëhet e vërtetë) do të shkojë tërësisht në rritjen e borxhit publik d.m.th., do të rëndoje mbi brezat e ardhshëm. Në të vërtetë, edhe kjo rrugë nuk mund të mos çojë në rritjen e mëtejshme të inflacionit dhe është një spirale e rrezikshme së cilës nuk i dihet fundi. Sidoqoftë, “kthesa kryeministrore” e para dy ditëve duhet konsideruar pozitive, sepse më në fund qeveria të paktën “njohu” dhe pranoi shkaqet e brendshme të krizës dhe po tenton të gjejë rrugëzgjidhjet përkatëse për zbutjen e efekteve të inflacionit dhe të shkeljeve të konkurrencës si shkaqet themelore të brendshme të saj. Por me të drejtë çdokush mund të pyesë, mirë që po indeksohet çmimi i bukës, por për mallrat e tjera që janë rritur gjithashtu, madje disa shumë më tepër se buka dhe që janë po aq të rëndësishme për jetesën e njerëzve. Ç’do të bëhet? Nuk është e lehtë t’i jepet përgjigje kësaj pyetje, të paktën për sa kohë që reformat të katandisen në kapultime individësh dhe të reduktohen në “emërimet-çemërimet” e këtyre tre vjetëve, duke lënë mënjanë problemet reale të ekonomisë sonë kombëtare, të tilla si: Rritja varfëruese për qytetarët e vet; papunësia konstante dhe shumë e lartë; paaftësia konkurruese dhe prania e situatave monopolistike dhe oligopolistike në tregjet kryesore; efektet kontradiktore të hapjes me vendet e rajonit dhe me botën; problemet tmerrësisht të mëdha me pronësinë dhe trojet; kaosin e politikave fiskale dhe arbitraritetin e administratës fiskale mbi biznesin; përparësitë e dyshimta të investimeve publike; korrupsionin “elitar” në drejtimin e saj, etj.Meqë jemi te mundësia e indeksimit dhe kompensimit përkatës monetar, të paktën të pensioneve për efekt të rritjes së çmimit të bukës, (të cilën nuk e përjashtoj si një rrugë që do të ndikonte në zvogëlimin e rreziqeve për tensione sociale dhe në frenimin polarizimin të mëtejshëm të shoqërisë), gjej rastin të bëj një paralelizëm me politikën qeveritare në lidhje me çmimin e energjisë elektrike. Kështu qeveria disa herë ka premtuar të mos rrisë pagesën për këtë mall kaq deficitar dhe të përditshëm sa buka për qytetarët shqiptarë (edhe premtimi për mosrritje çmimi përbën lajm në vendin tonë(?!). Por në ndryshim nga çmimi i bukës që i nënshtrohet lirisht lojës së tregut dhe manipulimeve eventuale në të, energjia dhe çmimi i saj është tërësisht nën kontrollin e qeverisë dhe të levave të saj “të pavarura”. Megjithatë përkundër premtimeve të përsëritura qeveritare për mosrritje të çmimit, pagesa për energjinë elektrike nga familjet shqiptare “de facto” është rritur prej kohësh. Kjo është bërë përmes mosvendosjes së rreth 1/6 së aparateve matëse të harxhimit të saj; përmes rritjes abuzive dhe të paligjshme nga 30 në 50 për qind të pagesave aforfe prej tyre; përmes mijëra gjobave të përditshme të Policisë Elektrike mbi bizneset e ndryshme të mëdha e të vogla, etj. Brenda pak ditëve pritet që kjo rritje të legjitimohet edhe “de jure” ndonëse nga institucionet publike përkatëse nuk është bërë asnjë analizë e kostos së prodhimit të këtij malli nga operatori publik (KESH) dhe operatorët privatë që po hyjnë në treg, as se sa ndikon çmimi i rritur i importit (vëllimi i të cilit është i barabartë me nja 1.5-2 muaj konsum në vit). Por mjerisht, në të gjithë këto zhvillime kompensimi i premtuar është harruar edhe pse gjithçka ndodhet ekskluzivisht në dorën e qeverisë. Uroj që indeksimi i çmimit të shitjes së bukës dhe kompensimi përkatës i premtuar të mos jetë demagogjia e radhës - si kompensimi për energjinë elektrike, thjesht “për të kaluar lumin”. Kjo sepse inflacioni dhe spekulimet në treg që shoqëruan rritjen e këtij çmimi (si probleme të brendshme), së bashku me zhvillimet e turbullta në tregjet ndërkombëtare përbëjnë një kombinim negativ faktorësh, të mjaftueshëm për ta përkeqësuar më tej gjendjen e ekonomisë sonë kombëtare. Ndërsa nga “ndëshkimet e spekulantëve”, edhe nëse kjo do të bëhet siç u angazhua drejtpërdrejt kreu i qeverisë, asnjë qindarkë nuk pritet të shtohet në xhepat e qytetarëve, siç duken jo efektive dhe pa lidhje me zhvillimet në ekonomi, gjobat e agjencisë anti-monopol. Më duket se është shtuar rreziku që imazhi i qeverisë të bjerë viktimë e pritjeve që vetë ndërton në sytë e qytetarëve, e për rrjedhojë rrënimi i këtij imazhi nga kriza që po shfaqet nuk do të ndëshkojë vetëm qeverinë, por do të rrënojë njëkohësisht edhe jetesën e pjesës më të madhe të familjeve shqiptare.