E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau ortakun në trafikun e drogës, pranga Luftar Reçit

• Arrestohet tre vite pas krimit autori i dytë i vrasjes dhe djegies së kufomës së biznesmenit Maksim Lala.Dashamir Biçaku Luftar Reçi, 38 vjeç, nga Dibra, banues në Tiranë, ra në pranga pas një aksioni të Zyrës së Hetimit të Vrasjeve në Policinë e Tiranës. Policia deklaroi dje se, i arrestuari është një personazh kompleks i dyshuar për vrasjen dhe djegien e kufomës së biznesmenit Maksim Lala dhe i lidhur me një sërë ngjarjesh të tjera kriminale në fushën e trafiqeve të pa-ligjshme. Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, i arrestuari Luftar Reçi ka marrë pjesë në vrasjen e Maksim Lalës pas prishjes së pazareve me viktimën, me të cilin dyshohet se i pandehuri ka qenë ortak në veprimtari të trafikut të drogës dhe armëve. Pak ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar policisë arrestimin e Luftar Reçit duke e akuzuar atë për vrasjen e Maksim Lalës, ngjarje e ndodhur në Burrel, më 12 maj 2005. Policia e Tiranës përmes një njoftimi zyrtar konfirmoi dje në mbrëmje arrestimin e Luftar Reçit. Vrasja për të cilën ky i fundit duhet të përgjigjet përpara organeve të drejtësisë, bën fjalë për ekzekutimin e Maksim Lalës me plumb pas koke dhe më pas djegien e kufomës së tij pranë Shkopetit në Burrel. Bashkë me Luftar Reçin, Prokuroria akuzon si pjesëmarrës në vrasje edhe Taulant Elezin 22 vjeç, i cili është edhe nipi (vëllai i motrës) i personit që u arrestua ditën e djeshme. Burimet zyrtare të policisë thanë se Luftar Reçi është i vlefshëm në cilësinë e dëshmitarit edhe për ngjarjen që ndodhi verën e kaluar në kryeqytet, pranë shkollës së mesme të gjuhëve të huaja. Agim Reçi, vëllai i Luftar Reçit, mbeti i vrarë nga persona të panjohur. Luftar Reçi, kërkohej nga organet e drejtësisë që pas vrasjes së të vëllait, por ai ishte zhdukur pa lënë gjurmë ndërsa policia nuk kishte mundur të merrte dëshminë e tij për vrasjen e vëllait. Luftar Reçi, sipas të dhënave të policisë nuk kishte marrë pjesë as në varrimin e vëllait pas ekzekutimit të tij me armë, nga persona ende të panjohur. Gjatë kësaj kohe mësohet se i arrestuari ka qëndruar në Bullgari derisa policia ka rënë në gjurmë të tij dhe i kërkuari është larguar nga vendqëndrimi. Rreth një muaj më parë, ai mori një banesë me qira në afërsi të Serave në Allias, periferi të Tiranës, ku edhe u arrestua dje nga agjentët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ekzekutimi i LalësKufoma e Maksim Lalës nga Dibra, u gjet e shkrumbuar më 12 maj 2005 në një makinë tip "Opel" në afërsi të vendit të quajtur Ura e Kallamishtes në Burrel. Sipas policisë, viktima ishte shkrumbuar në një masë më të lartë se 90 për qind si pasojë e djegies së makinës ku ishte hedhur kufoma. Autorët e krimit i kanë mbështjellë kokën 32-vjeçarit me një thes dhe e kanë qëlluar tri herë në pjesën e pasme, duke i shkaktuar vdekjen. Vrasësit, që mendohet se kanë qenë dy persona, kanë hedhur viktimën në makinën e tij dhe më pas i kanë vënë flakën. Trupi i djegur i Maksim Lalës, është identifikuar me vështirësi për shkak të dëmtimeve të shumta nga flakët. Rrobat e biznesmenit dhe më pas analizat gjenetike realizuan identifikimin e tij. Nga hetimet është mësuar se 32-vjeçari Lala, nuk kishte qenë ndonjëherë i skeduar nga policia shqiptare për vepra penale. Mirëpo duket se viktima ishte skeduar nga autoritetet policore jashtë Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, Maksim Lala ka qenë person në hetim dhe i dyshuar për përfshirje në rrjete të ndryshme të trafikut të drogës, armëve, klandestinëve si dhe të femrave për qëllime prostitucioni. Ortak i tij në këto aktivitete të paligjshme dyshohet se ka qenë edhe Luftar Reçi, i cili tashmë akuzohet edhe për vrasjen e partnerit të dyshuar të tij në veprimtarinë e paligjshme. Vrasja IITaulant Elezi, nipi i personit të arrestuar dje nga policia aktualisht është duke vuajtur dënimin prej 20 vite burg të dhënë nga gjykata për akuzën e vrasjes së taksistit Veli Mema. Ky i fundit u qëllua nga Taulant Elezi me një plumb në kokë në periferi të Tiranës, pasi autori i ngjarjes i kishte kërkuar viktimës t'i shërbente me taksi nga qendra e Tiranës deri në Laprakë. Pas vrasjes së taksistit policia akuzoi Taulant Elezin se bashkë me Luftar Reçin kishte marrë pjesë në vrasjen e Maksim Lalës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›