E Shtunë, 31 Tetor 2026

India dhe roli i saj në botën e re

(Vijon nga numri i kaluar)

Me rajonin Azi-Paqësor, që sa
vjen e bëhet më i ndarë nga
konfliktet strategjike të
kulturave, demokracitë e
mëdha duhet të bëhen bashkë për të
ndihmuar avancimin e bashkëpunimit
politik dhe stabilitetit përmes një
tërësie vlerash. Në vitin 2001 Kina mori
iniciativën e krijimit të Organizatës për
Bashkëpunim të Shangait, që të bënte
një aleancë gjeopolitike euroaziatike.
Qëllimi i saj fillestar ishte vendosja e
shteteve aziatike nën ndikimin kinez,
por sot ajo po kristalizohet gjithnjë e më
shumë si një "NATO e Lindjes". Megjithatë,
kur Australia, India, Japonia dhe
Shtetet e Bashkuara nisën iniciativën
katërpalëshe në vitin 2007, Pekini i akuzoi
krijuesit e saj se po tentonin të krijonin
një "NATO aziatike". Iniciativa duhet
të shërbente si një kornizë fillestare
për promovimin e sigurisë, dialogut dhe
partneritetit mes demokracive më të
mëdha të Paqësorit. Një bashkëpunim
i tillë tashmë ka nisur dhe iniciativa tenton
që jo vetëm t‘u mbijetojë ndryshimeve
aktuale, por edhe atyre që pritet
të ndodhin. Në rajonin e Azisë ka një
nevojë për përmirësimin e gjeopolitikës
përmes ndërtimit të politikave bashkëpunuese
përtej institucioneve që i
kanë rrënjët e ngulura në një realitet
botëror që nuk ekziston më. Ashtu
sikundër G8, që për t‘u mbijetuar ndryshimeve
ka nisur të dialogojë me fuqitë
e reja, edhe 5 anëtarët e përhershëm të
Këshillit të Sigurimit nuk mund t‘ia diktojnë
më kushtet e vendosura prej tyre
pjesës tjetër të botës dhe u duhet
urgjentisht që të ndajnë autoritetin e
tyre me fuqitë e reja. Të besoje se
ndërthurja e interesave ekonomike në
vetvete do të ndryshonte gjeopolitikën,
ishte një gabim. Një politikë e mirë është
po aq e rëndësishme sa edhe një
ekonomi e tillë. Por kjo kërkon disa hapa
të rëndësishëm, të cilët deri tani janë
anashkaluar: reformat institucionale,
transparenca shumë më e madhe për sa
u përket doktrinave strategjike dhe
shpenzimeve ushtarake, bashkëpunimi
dhe ndarja e problemeve. Në këtë
sfond të ri ndryshimesh në Azi, cili është
roli që mund të luajë India? Rritja e
peshës gjeopolitike të Indisë, shkalla e
lartë e rritjes së Prodhimit Kombëtar Bruto
dhe një treg me mijëra mundësi ia
kanë rritur këtij gjigandi aziatik profilin
ndërkombëtar. India ka nisur të konsiderohet
gjithnjë e më tepër si një shtet
ndërmjetës në rendin e ri që po lind.
Rreziqet gjeopolitike sot janë të mëdha
për shkak të paqëndrueshmërisë politike
dhe financiare në botë. India, si një
faktor ndërmjetës gjeopolitik, ka potencialin
të luajë një rol konstruktiv për të
ndihmuar lehtësimin e rreziqeve
përmes promovimit të bashkëpunimit
ndërkombëtar. Është e pashmangshme
futja e mënyrave të reja të të menduarit
dhe vepruarit për të korrigjuar ndarjet e
dasitë ndërkombëtare. India ka avantazhe
shumë të rëndësishme, që mund
t‘i shfrytëzonte për të luajtur rolin e një
ure mes Lindjes dhe Perëndimit. Ajo jo
vetëm që është demokracia më e madhe
në botë, por është edhe një vend ku
gjallojnë e bashkëjetojnë shumë ndryshime.
Brenda kufijve të saj jeton 1/6 e
njerëzimit dhe nga ky aspekt ajo madje
është shumë më e shumëllojshme nga
pikëpamja linguistike se vetë Evropa.
India është vendi ku traditat e vjetra
shkojnë paralel me postmodernizmin.
Një nga asetet më të mëdha të vendit
është demokracia, por demokracia indiane
tenton të funksionojë përmes rregullave
të politikës provinciale. Vendosja
e një axhende afatgjatë kombëtare para
politikës afatshkurtër provinciale nuk
është e lehtë. Për më tepër, pjesërisht
falë përvojave të saja historike, shteti
indian është shumë i kujdesshëm dhe i
ndrojtur, çka shpesh e bën jo shumë
aktiv. Por nga ana tjetër, në historinë e
saj India ka luajtur një rol bashkëpunues
në çështjet ndërkombëtare.
Përmes pasurisë së saj filozofike dhe
zhvillimit të kulturës së kompromisit,
paqtimit, civilizimit dhe kreativitetit,
India e konsideron botën si një vend ku
nuk duhet të kryhen më luftëra, por u
duhet të ndërtohen ura për të përballuar
sfidat e përbashkëta. Përgjatë shekujve,
civilizimi indian ka tentuar gjithmonë
të sintetizojë. Kjo aftësi për të sintetizuar
është një nga forcat më të
mëdha me të cilat India mund të operojë
në sferën ndërkombëtare. Një traditë
e tillë mund të gjendet, për shembull,
te mungesa e zellit të saj, ndryshe
nga sa ndodh me Shtetet e Bashkuara,
për të eksportuar demokracinë. Ajo e
konsideron atë si mjetin më të efektshëm
për të bërë bashkë gjithë komponentët
e ndryshëm të një shteti. Nga
ana tjetër, India e vlerëson dhe lavdëron
veten duke e konsideruar si një model
të një demokracie të një lloji tjetër, jo si
ajo perëndimore. Ndërkohë që konceptet
e të drejtave të njeriut dhe ligjit
të së drejtës janë zakonisht pjesë e
demokracisë perëndimore, India nga
ana e saj ka edhe vlera të tjera, të cilat u
shtohen atyre perëndimore. Nobelisti
indian i ekonomisë, Amartya Sen, ka
thënë: "Një shembull i mirë është Perandori
Ashoka i Indisë, i cili gjatë shekullit
III para erës sonë e mbushi vendin
me shkrime në pllaka prej guri, në të
cilat thuhej se njerëzit duhet të silleshin
mirë me njëri-tjetrin dhe se shteti duhet
të qeveriste me mençuri. "Sipas tij,
është e gabuar ideja që parimet e të
drejtave të njeriut e lirive njerëzore kanë
lindur në Perëndim. Një tjetër çështje e
lidhur me rolin e Indisë është ndihma
që mund të japë në riformëzimin e një
balance të qëndrueshme të pushtetit.
Momenti i "ngrohjes" së marrëdhënieve
të Shteteve të Bashkuara me Kinën ka
të bëjë më shumë me dëshirën e Uashingtonit
për t‘i krijuar Kinës një balancë
në rajon. Por një partneritet afatgjatë
mes Amerikës dhe Indisë nuk duhet të
ndërtohet mbi oportunizmin strategjik,
por mbi interesat e përbashkëta, të cilat
janë shumë më tepër se vlerat e përbashkëta
demokratike. India nuk do ta
lejojë kurrë që të përdoret nga një tjetër
shtet si gur peshe për balanca që i interesojnë
vetëm dikujt. Në vitet në vijim,
India do të krijojë gjithnjë e më tepër
aleanca me Perëndimin nga pikëpamja
ekonomike. Por nga pikëpamja
strategjike ajo mund të japë një kontribut
shumë më të gjerë. Për shkak të
ekuacioneve të reja që janë shfaqur me
zhvendosjen e pushteteve, indiferentizmi
dhe mbyllja në vetvete nuk duhet
të jenë më karakteristikat e vendeve të
botës. Ka shumë njerëz që mendojnë se
India tashmë duhet të ndjekë një politikë
të jashtme të pavarur. Për këtë asaj
i duhet që të përzgjedhë opsionin e krijimit
të shumë partneriteteve me lojtarë
të ndryshëm. Me pak fjalë, asaj i duhet
që të vazhdojë linjën e saj, duke i marrë
vetë vendimet më të rëndësishme. Një
Indi shumëdimensionale në sferën e
politikës ndërkombëtare do të jetë me
përfitim për të gjithë lojtarët e tjerë të
rajonit, për ndryshimin pozitiv të botës
dhe atmosferës gjeopolitike. Në kontekstin
aziatik, interesat e Indisë janë ato
të sigurimit të një konkurrence
strategjike mes lojtarëve kryesorë, për të
mos lejuar konfrontime gjeopolitike.
Thellimi i mosbesimit dhe shovinizmit
nacionalist në Azi kërcënon të krijojë
kushte që do të dëmtonin seriozisht interesat
e të gjithëve në rajon. Sfida e
përbashkët është gjetja e mënyrave për
të minimizuar mosbesimin dypalësh
dhe maksimizuar rrugët për përfitimet
e bashkëpunimit. Kjo mund të bëhet jo
duke iu shmangur përballimit të çështjeve
shqetësuese në Azi, por duke
kërkuar zgjidhjen e tyre në mënyrë
praktike. India duhet të shqetësohet
për faktin se konkurrenca për burime
energjetike po e bën gjeopolitikën e
Azisë më të errët. Ajo çka të bën përshtypje
këtë herë është se aleancat e reja
dhe partneritetet e reja në Azi po bëhen
nga fuqitë aziatike e jo më nga Shtetet e
Bashkuara që kanë bërë policin në Azi
që pas Luftës II Botërore. Në këtë dritë,
bashkëpunimi dhe siguria aziatike do të
ndikohen së tepërmi nga marrëdhëniet
mes lojtarëve më të mëdhenj rajonalë.
Nevoja për të siguruar burime të stabilizuara
energjetike do t‘i detyrojë lojtarët
e mëdhenj që të integrojnë politikat energjetike
me politikën e jashtme përmes
promovimit të strategjive diplomatike.
Konkurrenca për burime energjetike
nuk duhet të shndërrohet në shkak për
të thelluar rivalitetin. Sfidat me të cilat
përballet bota sot janë të reja dhe variojnë
nga ngrohja globale te terrorizmi
ndërkombëtar. Në të shkuarën, kompeticioni
për një balancë pushteti ishte
i përqendruar në Evropë. Edhe vetë
Lufta e Ftohtë nuk ishte një rivalitet tipik
Lindje-Perëndim, por një kompeticion
mes dy blloqeve për Evropën. Për
herë të parë ne po përballemi me
detyrën e ndërtimit të një ekuilibri
pushteti në botë, ndërkohë që njëherazi
po ndreqim ndryshimin e pushtetit
global dhe po përballojmë sfidat transnacionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›