E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS do të ketë një program për fitoren e sigurt në 2009

Kryetari i PS, Edi Rama dhe deputetët e këtij qyteti u shprehën dje të sigurt në fitoren e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme. Fitore kjo që, sipas tyre, nuk duhet të vijë vetëm si pasojë e dëshpërimit social-ekonomik, ku e ka zhytur vendin kjo qeveri, por do të jetë një fitore për të bërë të mundur ndryshimin përmes një programi realist dhe krejtësisht të zbatueshëm. "Më lejoni t‘ju them, se ne na duhet një Shqipëri, ku asnjë shqiptare dhe shqiptar të mos detyrohet të marrë detin me not apo me varkë, apo me skaf dhe të rrezikojë edhe jetën, po ku çdo shqiptar e shqiptare të mund të udhëtojë lirisht në Evropë, si një evropian dhe këtë ne do ta bëjmë", u tha Rama qytetarëve vlonjatë. Kreu i socialistëve vlerësoi se i duhet dhënë fund Shqipërisë së izoluar. "Unë dua t‘ju them se ne na duhet në Shqipëri e bashkuar qytetarësh dhe qytetaresh që arrijnë të kuptojnë se është koha për të mos e pranuar më hendekun, që ka hapur mes nesh politika e vjetër e partive në emër të së majtës dhe të së djathtës, por për t‘u bashkuar në emër të të qenit shqiptarë dhe shqiptare, në emër të fëmijëve tanë, në emër të të moshuarve, në emër të atyre që dhanë jetën për një Shqipëri zonjë", nënvizoi Rama. Lideri i opozitës nënvizoi faktin se Shqipërinë zonjë mund ta bëjmë të bashkuar, socialistë dhe demokratë, që refuzojnë të jenë skllevër të politikës së vjetër të së shkuarës, skllevër të injorancës, të paaftësisë dhe të papërgjegjshmërisë së Sali Berishës dhe të kastës që është sot në pushtet. "Ne jemi këtu për të mbështetur një fuqi të madhe ndryshimi, mes burrash dhe grash në të gjithë Shqipërinë, që refuzojnë të jetojnë në këtë Shqipëri të varfër, në këtë Shqipëri të papunë, në këtë Shqipëri injorantësh, që janë mbi kokat tona vetëm se kanë pushtet, falë një fakti të thjeshtë, falë politikës së politikanëve", insistoi Rama. Na duhet që politikën e re, që sot është një politikë e re sjelljeje, tha ai, është një politikë e re komunikimi, është një politikë e re respekti për njerëzit, ta kthejmë në një politikë të re qeverisjeje. "Nuk na mjafton që duke shfrytëzuar zhgënjimin e madh që të gjithë ju dhe të gjithë shqiptarët kanë me Sali Berishën ne të bëjmë një listë me të gjitha dëshirat, nevojat tuaja dhe të vijmë t‘ju marrim votën. Madje, jo vetëm nuk na mjafton, por nuk na duhet kjo", u shpreh Rama. Socialistët, shtoi ai, duhet që të premtojnë vetëm ato që do të bëjnë dhe të bëjmë çdo gjë që premtojmë. "Për të gjitha këto na duhet një program dhe ne duam që të nesërmen e fitores çdo njëri nga ata që do ulen për të realizuar premtimet të ketë përpara programin, që nuk është një libër premtimesh, por është rruga e realizimit të premtimeve", insistoi kreu socialist.

Premtimi

Fitorja, e jashtëzakonshme

"Fitorja jonë e vitit të ardhshëm do të jetë një fitore e jashtëzakonshme, jo thjesht për faktin se ne do të mundim Sali Berishën, por për faktin se me fitoren e vitit 2009, ne do të fillojmë luftën me varfërinë, do të fillojmë luftën me papunësinë"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›