E Shtunë, 31 Tetor 2026

India do të hapë ambasadën e saj në Tiranë

21/12/2008  Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha takohet me autoritet më të larta indiane

TIRANE - Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha dhe homologu i tij indian Pranab Mukherje vlerësuan gjatë një takimi të zhvilluar në Nju-Delhi marrëdhëniet e mira politike midis dy vendeve. Ata rikonfirmuan vullnetin e qeverive respektive për t’i ngritur ato në një nivel më të lartë bashkëpunimi të gjithanshëm. Krerët e diplomacisë së dy vendeve shprehën bindjen se një ndihmë të madhe për këtë bashkëpunim do të japë edhe ambasada shqiptare në Nju-Delhi, hapja zyrtare e së cilës u inaugurua nga ministri i Jashtëm Lulëzim Basha në prani të përfaqësuesve të qeverisë indiane dhe trupit diplomatik të akredituar në Indi. Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm indian, duke shprehur kënaqësinë e tij dhe të qeverisë indiane për këtë hap të qeverisë shqiptare, njoftoi Bashën se qeveria e tij ka vendosur hapjen në një të ardhme shumë të afërt të ambasadës së Indisë në Tiranë. Në planin ekonomik dy ministrat, pasi konstatuan rritjen me 13 për qind të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve gjatë këtij viti, u angazhuan të ndërmarrin të gjitha hapat për një fazë të re, shumë më intensive të bashkëpunimit ekonomik. “Ekonomia indiane, një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë, dhe ajo shqiptare, e cila po përjeton fazën më dinamike të zhvillimit dhe rritjes së saj, duhet të përfitojnë nga potencialet e mëdha të pashfrytëzuara të bashkëpunimit midis tyre”, - theksuan homologët gjatë takimit. Në këtë kuadër, dy ministrat u angazhuan për nënshkrimin brenda një kohe të shpejtë të marrëveshjeve për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e përshpejtuar të marrëdhënieve midis biznesit dhe investitorëve në të dy vendet. Rëndësi të veçantë iu kushtua bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit, ku India ka një eksperiencë shumë të zhvilluar. Pala indiane gjithashtu shfaqi interes të veçantë në sektorët energjetikë, minerarë, farmaceutikë, transportin detar etj. Ndjekja me përparësi e mundësive për investime dhe bashkëpunim ekonomik në këto fusha zuri një vend kryesor gjatë bisedimeve. Bashkëbiseduesit e cilësuan të rëndësishëm bashkëpunimin midis komunitetit të bizneseve të dy vendeve dhe u angazhuan për rritjen e kontakteve midis dhomave të tregtisë, ku ekzistojnë hapësira konkrete për investimin dypalësh.

Të dy ministrat bënë një pasqyrë të zgjeruar të situatave politike, ekonomike sikundër dhe marrëdhëniet respektive me vendet fqinje. Duke u ndalur në sulmet terroriste në Mumbai, ministri Basha shprehu edhe një herë ngushëllimet për viktimat dhe ndjenjën e solidaritetit me qeverinë indiane. Bashkëbiseduesit theksuan se terrorizmi mbetet kërcënim dhe sfidë kapitale për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, ndaj nevoja për bashkëpunim më të ngushtë midis shteteve dhe qeverive për t’u përballur me këtë të keqe nuk ka qenë kurrë më e madhe.

Basha për Kosovën

Duke e informuar mbi zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj në arenën ndërkombëtare, ministri Basha vuri theksin te ndikimi pozitiv që kjo ka pasur për paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj si faktor stabiliteti, duke nxitur bashkëpunimin, moderacionin dhe dialogun konstruktiv në funksion të vizionit dhe objektivave të përbashkëta të vendeve të rajonit për integrim euroatlantik.

Diskutimet

Ministri Basha zhvilloi një takim edhe me Institutin Indian për Analiza Strategjike Ndërkombëtare, i cili është think-tank-u kryesor për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Indisë. Zhvillimet gjeostrategjike globale, vizioni i politikës së jashtme të Shqipërisë, si anëtare e ardhshme e NATO-s, sfidat e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, zhvillimet në rajonin tonë, në veçanti zhvillimet në Kosovë si dhe çështje të tjera të sigurisë dhe politikës së jashtme ishin temat kryesore që u trajtuan gjatë këtij takimi.

Vizita

Gjatë qëndrimit në Indi ministri Basha zhvilloi një vizitë në Kalkuta, ku bëri homazhe para memorialit të Nënë Terezës dhe vizitoi urdhrin e saj. Gjatë qëndrimit në Kalkuta ministri Basha u takua me kryeministrin e Bengalit Perëndimor, zotin Buddhadeb Bhattacharya, me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit në fushën ekonomike, si dhe mbajti një fjalim para Konfederatës së Industrisë Indiane të Bengalit, ku u bë një prezantim nga “Albinvest” për mundësitë që ofron Shqipëria për investime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›