India goditet nga sulme të shpejta, SHBA në gatishmëri
India ka marrë një goditje të fuqishme nga rrjete terroriste gjatë mbrëmjes së kaluar, me një seri shpërthimesh të njëhershme, që morën jetën e të paktën 80 personave ndërsa 200 të tjerë janë plagosur. Në kryeqytetin indian janë regjistruar të paktën pesë lokacione me të shtëna dhe shpërthime të nxitura. Sipas CNN një prej shpërthimeve ka prekur edhe një pompë benzine. Të shtënat janë shënuar pranë hoteleve luksoze, të frekuentuara kryesisht nga turistë të huaj. Beteja ka vazhduar për orë të tëra mes policisë dhe terroristëve të armatosur në dy hotele me pesë yje, “Oberoi” dhe “Taj Mahal”. Sipas dëshmive mbledhur nga CNN, terroristët e armatosur janë përpjekur të gjejnë njerëzit me pasaporta amerikane dhe britanike. Rreth 40 pengje janë marrë në dy hotelet dhe nuk dihet asgjë për ta. Sulmi ka ndodhur rreth orës 22:30 me orën lokale. Nuk dihet nëse sulmet kanë përfunduar me kaq apo priten të tjera incidente. Pas disa orësh shkëmbim zjarri ka humbur jetën edhe shefi i antiterrorizmit, Hemant Karkare. Për të përballuar sulmin është angazhuar ushtria indiane. Edhe FBI në SHBA ka paralajmëruar sulme të ngjashme në metrotë e Nju Jorkut nga Al Kaeda. Federalët po mobilizojnë përforcimin personelit të sigurisë kundër sistemit të metrosë së Nju Jork gjatë sezonit të pushimeve dimërore.