Kosovë, deklaratë kundër 6 pikave të OKB
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi kanë theksuar dje, para diskutimit të Këshillit të Sigurimit, qëndrimin e tyre kategorik kundër planit 6-pikësh të Ban Ki Munit. Thaçi dhe Sejdiu kanë thënë se Prishtina mbetet pas qëndrimit të saj refuzues të paraqitur më 18 nëntor. “Përgjigjja jonë ndaj raportit të Sekretarit të Përgjithshëm mbetet e njëjtë. Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre, që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës”. Dy liderët më të lartë politik të Kosovës i kanë bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ta marrin parasysh qëndrimin e tyre. “U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë, të sigurojnë se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it, të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës”, citoi Sejdiu deklaratën e përbashkët. Por presidenti i Kosovës ka shprehur qartë vullnetin e Kosovës për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, por gjithnjë duke kërkuar që sovraniteti i Kosovës të mos shkelet. “Do të bashkëpunojmë dhe kontaktojmë në mënyrë konkrete me EULEX-in, sepse do të jetë iluzion që të thuhet diçka tjetër; janë faktorë apo mekanizma ndërkombëtarë, që ne i kemi pranuar edhe në procesin e bisedimeve; është në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Kosovës dhe po ashtu në proces të implementimit të politikave të përgjithshme në kuadër të mandatit që e ka EULEX-i, dhe ne besojmë se do t’i përmbahet atij mandati”, theksoi Sejdiu.