E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Kosova e pavarur realitet i pakthyeshëm

 

Presidenti Bamir Topi ka dalë dje kundër planit prej gjashtë pikash të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun për Kosovën. Kreu i shtetit e ka bërë të ditur qëndrimin gjatë takimit me homologun e tij turk, Abudalla Gyl. “Presidenti Topi ritheksoi bindjen se Kosova e pavarur është tashmë një realitet i ri dhe i pakthyeshëm në rajonin ballkanik dhe se njohja e saj ndërkombëtare është e pandalshme. Presidenti Topi nënvizoi përpjekjet e faktorit ndërkombëtar në këtë drejtim dhe vuri në dukje se Shqipëria i përmbahet qëndrimit sipas të cilit, pas 17 shkurtit të këtij viti, kur Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, jo vetëm vendosja e EULEX-it, por edhe çdo proces tjetër atje duhet të bëhet duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara, në zbatim të Planit Ahtisari”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Nga ana e tij, Presidenti Gyl vlerësoi rolin pozitiv dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan për ruajtjen dhe forcimin e qetësisë, paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin tonë, duke e konsideruar atë si shumë të rëndësishëm për arritjen e aspiratave integruese të mbarë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›