E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza europiane kercenon ekonomine kineze

Kriza e borxhit në BE tashmë po kërcënon ekonominë kineze. Është ky vlerësimi i bërë së fundmi nga FMN. Sipas parashikimeve të Fondit, rritja e ekonomisë së vendit aziatik ndoshta edhe mund të përgjysmohet, nga 8,2% në 4%, nëse situata në Eurozonë do të përkeqësohet. Norma e rritjes në Kinë do të bjerë në mënyrë drastike nëse në Eurozonë do të verifikohet një recesion i thellë, gjykojnë ekonomistët e FMN. Gjithsesi sipas analistëve, edhe në një rast të tillë, Pekini i ka hapësirat e mundshme për tu përgjigjur efekteve të jashtme të krizës. Edhe kryeministri i vendit, Jiabao, gjtaë takimit me kancelaren Merkel, deklaroi se stabiliteti i Europës është edhe në interesin e Kinës, duke qenë tregu kryesor i eksporteve, dhe burimi kryesor i teknologjisë për vendin. Mbështetja e stabilitetit të tregut europian do të thotë të ndihmojmë vetveten ka thënë kryeministri kinez. Duke konsideruar këto fakte Pekini po vlerëson mënyrën se si të përfshihet përmes FMN dhe Fondit të Shpëtimit të shteteve, në zgjidhjen e problemit të borxhit europian. Vitin e kaluar Kina shënoi një rritje me 8,9% të ekonomisë, ndërkohë që për këtë vit parashikohet një ulje e rritjes. Sipas Kryeministrit të Singaporit, Kina mund të pësojë gjatë këtij viti një rënie të ndjeshme të ekonomisë, pavarësisht se do të jetë në gjendje ta menaxhojë mirë situarën. Ndërsa ambasadori i BE-së në Pekin është shprehur se Kina mund të kthehet gjatë këtij viti në eksportuesen e parë në botë, duke tejkaluar kështu edhe SHBA. Në raportin e FMN, thuhet se autoritetet kineze dhe kryesisht Banka qëndrore, duhet të reagojnë mbi planin fiskal dhe monetar, duke mundësuar mbështetjen e ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›