E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi e një bodigard lirohen në gjykatë, tjetri në burg

20/11/2009  Vendimi i apelit, Rezart Taçi një herë në javë do të paraqitet në Policinë Gjyqësore

TIRANË- Rezart Taçi pas dy seancave që nuk dhanë efekt në gjykatën e Tiranës, fiton të drejtën për të qenë i lirë nga Gjykata e Apelit. Alaudin Malaj dhe dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues Metush Saraçi dhe Edmond Islamaj, vendosën dje në orën 15.30 minuta të lënë të lirë Rezart Taçin duke ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest me burg” në “detyrim për paraqitje”, çdo të hënë në Policinë Gjyqësore. Vendimi ishte i shkurtër. Gjykata u shpreh se Rezart Taçi nuk ka pasur precedent të mëparshëm penal dhe nuk ka taksa të papaguara. Në këto kushte ai nuk futet tek personat, të cilët duhet të mbahen në burg sepse i janë shmangur detyrimeve ligjore. Shkaku për të cilin mbahet në burg, sipas gjykatës, nuk është i mjaftueshëm. Në këto kushte kjo treshe gjyqësore i jep rrugë kësaj çështje për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë nuk ishte në gjendje ta bënte edhe pse iu dha dy herë mundësia. Avokati Maksim Haxhia shtroi në seancë disa kërkesa për të cilat tha se janë të ligjshme. Ai i tha gjykatës se masa e dhënë nga shkalla e parë për biznesmenin Rezart Taçi ka qenë ekstreme dhe nuk mund të besohet se një drejtësi vepron në këtë mënyrë. Për Taçin, sipas Maksim Haxhisë, u dha një masë e cila nuk është aplikuar për raste të tjera të ngjashme. Një biznesmen tha Haxhia nuk mund të mbahet në burg për një vepër penale, e cila nuk konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ndërkohë që organi i Prokurorisë ishte kundër kësaj logjike. Prokurori mbrojti të njëjtën ide si në shkallën e parë. Akuza ishte kundër ndryshimit të masës së arrestit. Ai tha se Taçi ka goditur në këtë rast lirinë e medias dhe nuk mund të lihet pa u ndëshkuar. Po dje Gjykata e Apelit vendosi që Bledar Lilo të qëndroi në “arrest shtëpie”, ndërkohë që shoku i tij Irgen Selfon në “arrest me burg”. Rezart Taçi dhe dy rojat e tij personale akuzohen për rrahje për shkak të detyrës. Ata në bashkëpunim kanë goditur gazetarin Mero Baze. Ngjarja ndodhi rreth dy javë më parë në një prej lokaleve të Tiranës, teksa Mero Baze ishte në shoqërinë e dy kolegëve të tjerë. Por Rezrat Taçi biznesmeni i njohur u vu në pranga vetëm në datë 7 nëntor, ditën që gjykata vendosi për të masën e sigurimit në mungesë. Në shkallën e parë ishte gjyqtarja Farije Budo, ajo që në dy seanca nuk ndryshoi vendimin për Rezart Taçin.

Dorëheqja për konflikt interesi

Seanca e djeshme filloi në orën 9.30 minuta, por u ndërpre pas dorëheqjes së dy gjyqtarëve, Zina Sollaku dhe Fatos Qato. Të dy gjyqtarët thanë se kishin konflikt interesi dhe nuk mund të shqyrtonin kërkesën. Sollaku u shpreh se ka një proces të hapur me gazetarin Mero Baze dhe në këto kushte është në konflikt interesi, ndërkohë që Fatos Qato tha se një i afërm i familjes së tij është ekspert në firmën e të pandehurit Taçi. Pas kësaj ndërprerje, seanca tjetër u zhvillua në orën 15.00, duke i dhënë dhe lirinë Taçit.

Mero Baze person me disa procese për shpifje

Masa e marrë në ngarkim të Rezart Taçit nuk përputhet me asnjë argument ligjor. Ne i kemi vënë gjykatës një thes me prova. Taçi është një nga taksapaguesit më të mëdhenj dhe arrestimi i tij do të sillte edhe lëkundje në ekonomi. I kemi vënë gjykatës në dispozicion një garanci pasurore prej 100 mijë eurosh. Ndërsa shtoi se Mero Baze është një person i dënuar për shpifje dhe ka disa procese në gjykatë

i kemi vënë në dispozicion një listë me dëshmitarë. Prokuroria ka vepruar me dy standarde. Ndërsa gjykata duhet të baraspeshonte ngjarjen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›