E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksinat nga Turqia arrijnë nesër

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se nesër në Kosovë arrijë vaksinat e para kundër Gripit A H1N1, të cilat janë dhuruar nga Turqia.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike planifikon që me këto 5000 vaksina, së pari do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë, sipas kategorizimit të kategorive prioritare.

Grupi punues për menaxhimin e Pandemisë së gripit të ri A H1N1, i kryesuar nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mybera Mustafa, ka mbajtur sot një takim pune, në të cilin janë analizuar masat e ndërmarra deri më tani, lidhur me menaxhimin e situatës rreth Gripit në Kosovë.

Zëvendësministrja Mustafa dhe ushtruesi i detyrës të sekretarit Permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Haxhi Kamberi, kanë folur për masat që ka ndërmarrë Ministria duke siguruar furnizim të qëndrueshëm të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues, medikamentin Tamiflu, njofton MSH, nëpërmes një komunikate për shtyp.

Ministria thotë se ka krijuar kushte që medikamenti Tamiflu dhe vaksinat kundër gripit sezonal të jepen edhe përmes sektorit privat nën mbikëqyrjen e MSh-së.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka raportuar për situatën epidemiologjike në Kosovë dhe ka konfirmuar se deri më sot në Kosovë janë regjistruar 77 raste të Gripit A/ H1N1, shumica prej të cilave raste e kanë kaluar lehtësisht gripin, me përjashtim të një rasti që ka përfunduar me vdekje.

Ai ka thënë se situata epidemiologjike është nën kontroll të plotë, nuk ka nevojë për panik dhe se po zbatohen me përpikëri masat preventive.

Drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj, ka folur për trajtimin klinik të rasteve të konfirmuara dhe të dyshuara të Gripit të ri A H1N1 në këtë klinikë.

Ai ka thënë se dy raste me gjendje më të rëndë klinike për të cilat dyshohej se ishin me grip A H1N1, janë konfirmuar negative, derisa për dy raste të tjera analizat do të përsëriten për shkaqe sigurie, edhe pse të dy kanë rezultuar negative në A H1N1.

Nga ky takim sërish u është bërë thirrje qytetarëve që të lajmërohen me kohë te mjeku familjar kur kanë simptoma gripit dhe të zbatojnë masat mbrojtëse kundër virusit A H1N1 dhe virusit të gripit sezonal, derisa mjekëve familjarë u është rekomanduar që të udhëzojnë për në Klinikën Infektive dhe për analiza në IKSHP, vetëm rastet me tablo të rëndë klinike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›