Kapet gjatë arratisjes, mashtroi me 350 mijë euro
TIRANE - Mashtroi me 350 mijë euro, arrestohet nga policia e Tiranës gjatë tentativës për t’u arratisur, në pikën kufitare të Morinës. Administratori i “Euro Drin”, njëkohësisht edhe menaxher i kompanisë “Metal Plas Co”, Hektor Mamli, përfundoi dje në pranga gjatë aksionit të Antikrimit Ekonomik, të koduar “Rent”. Dhjetëra denoncime kundër tij, nga disa kompani të njohura automjetesh dhe agjenci udhëtimesh, të cilat pretendonin se ishin mashtruar nga 32-vjeçari Mamli, kanë bërë që policia të ndërmarrë një operacion, i cili ka bërë të mundur edhe arrestimin e tij. Ndaj Hektor Mamlit, janë deponuar një sërë kallëzimesh për mashtrim në shuma të konsiderueshme parash nga kompani si “Classic Wolsksvagen” Shpk, firma “Anas” Shpk, distributor i Fiatit në Shqipëri, “Meridiane Travel & Tours” Shpk, “Chevrolet” shpk, “Mitsubishi” Shpk, “Anvil” Shpk, “Lisingu” Shpk, “Lumani” shpk, si dhe kompani të tjera, por edhe qytetarë të ndryshëm. I arrestuari, dyshohet se, duke shfrytëzuar njohjet shoqërore, ka realizuar më së miri marrjen në formën e borxhit të shumave të parave, që varionin nga 5 mijë euro deri në 8 mijë euro, të cilat nuk i ka kthyer më. Pas marrjes së parave borxh, i riu u linte si garanci, 23 automjetet e marra me qera nga të gjitha kompanitë e sipërpërmendura. Shuma totale që 32-vjeçari ka arritur të vjedhë me këtë formë mashtrimi, përllogaritet në shumën e 350 mijë eurove. Ndërkohë, policia pas arrestimit të tij ka gjetur dhe sekuestruar edhe makinat që ai kishte marrë me qera, disa prej të cilave i kishte fshehur në garazhet e hotelit “Euro Drin” dhe disa të tjera në garazhe të pallateve të ndryshme në Tiranë. e.d