Indro Montaneli, gjeniu i gazetarisë në shtypin shqiptar
Materiale arkivore ekspozohen për herë të parë në publik, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Montanelit. Më 23 prill do të zhvillohet dhe prezantimi i librit “Shqipëria një dhe njëmijë”, përkthyer nga Aurel Plasari
Petrika GROSI
Më 23 prill, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet, do të çelet një ekspozitë e veçantë me materiale arkivore, një pjesë e të cilave nxirren për herë të parë në publik dhe që kanë të bëjnë me jetën dhe shkrimet e një prej figurave më të spikatura të publicistikës italiane e jo vetëm, të shek. XX, siç është Indro Montaneli. Kjo datë, që është njëherësh edhe Dita Botërore e Librit, do të sjellë gjithashtu një përkthim të ri të librit të Montanelit për Shqipërinë “Shqipëria një dhe njëmijë”, punë e studiuesit të njohur dhe drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari. Sa i përket Montanelit, për të gjithë ata që nuk e dinë, është një ndër kronikanët borgjezë italianë më brilantë të shekullit të kaluar. Ai lindi më 22 prill të vitit 1909 dhe në moshën 30-vjeçare ka botuar veprën “Albania una e mille”, pasi udhëtoi në vendin tonë. Ironik, rebel, i ndjeshëm e po kaq i papërmbajtshëm, i dashuruar me të huajën, të renë, të bukurën, fisniken, kulturën dhe traditat, Montaneli befason edhe sot nëse do të merreshim me një studim të jetës dhe veprës së tij. Të paktën ky është mendimi i kritikës dhe i studiuesve shqiptarë e të huaj për kronikanin ndoshta më të madh italian, që në artikujt e tij rrezaton energji, vërtetësi, rrjedhshmëri stili dhe përshkrime të mrekullueshme, por edhe nuanca pro-italike që shfaqen tek-tuk nëpër shkrimet e tij, apo bindjet personale që përbëjnë anën subjektive të asaj që shkruhet.
Instituti Italian i Kulturës në Tiranë do të sjellë enkas për këtë rast historianin dhe gazetarin Sandro Gerbi, i cili do të mbajë për të pranishmit kumtesën me titull “Montaneli, edhe 100 vjet pas lindjes, ngjall debat”. Sandro Gerbi, në bashkëpunim me Rafaele Liuçin, i është përkushtuar jetës dhe veprës së Indro Montanelit duke shkruar mjaft artikuj, kumtesa shkencore apo dhe libra mbi të. Një nga veprat e tij është “Shtrigani – Jeta e parë e Montanelit”, libër që bën fjalë për biografinë e 50 viteve të para të jetës së gjatë të gazetarit dhe kronikanit të shquar italian, që nga lindja e tij në Fukeçio, një provincë e Firences, deri te majat më të larta me gazetën “Corriere della sera”. Ndërsa në pjesën e dytë të jetës së Indro Montanelit historiani përqendrohet në analizën dhe punën e këtij gazetari duke na rrëfyer mbi vitet 1958 – 2001, si dhe duke na dhënë portretin e një njeriu luftarak, konservator e njëherësh liberal, me një bindje të theksuar antiklerike. Libri “Shqipëria një dhe njëmijë”, i cili lindi si rezultat i korrespondencës që Montaneli mbante me gazetën “Corriere della sera” në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, vjen si variant më i saktë nga përkthimet paraardhëse në gjuhën shqipe.
7 Prill 2009