Tragjedi në Itali, tërmeti merr jetën e 100 personave
Të plagosur mbetën 1500 persona dhe shumë të tjerë rezultojnë të humbur. Në mesin e të zhdukurve rezulton edhe një familje nga Shqipëria me tre anëtarë
Tërmeti, që goditi qytetin L’Akuila në Italinë Qendrore dhe rreth 26 komuna përreth, shkaktoi vdekjen e mbi 100 personave dhe plagosjen e 1500 të tjerëve. Ministria e Brendshme bëri të ditur se numri i viktimave mund të shkojë deri në 150 dhe nuk dihet ende numri i të zhdukurve. Fuqia e tërmetit në Itali ishte 6.2 ballë e shkallës Rihter. Lajmin e bënë të ditur mediat italiane, të cilat iu referuan burimeve pranë Institutit Lokal të Gjeofizikës. Kreu i Mbrojtjes Civile në Itali, Guido Bertolaso, deklaroi se kjo tragjedi e rëndë nuk mund të parandalohej pasi nuk mund të bëhej evakuimi i banorëve të zonës vetëm duke marrë parasysh parashikimet e sinoptikanëve. Të pastrehë mbetën banorët e zonës së goditur nga tërmeti dhe zyrtarët thanë se numri i tyre shkon në 70 mijë, ndërsa Caritas-i njoftoi për 100 mijë persona. Për këta persona u ngritën në L’Akuila dhe në disa zona përreth shtatë kampe. Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, tha se nuk ka probleme për të plagosurit pasi vendet për ta në spitale janë të mjaftueshme, ndërsa personat që ndodhen në gjendje të rëndë u evakuuan në spitale të tjera të Italisë. Megjithatë, ai shprehu shqetësim për numrin e viktimave në rritje. “Mendojmë se në fund të kërkimeve bilanci mund të mbyllet me 100-150 të vdekur”, - pohoi Maroni i dëshpëruar. “Por e rëndësishme është të shpëtojmë ata që mund të kenë mbetur gjallë nën rrënoja. Të gërmojmë”, - u bëri ai thirrje qytetarëve italianë në konferencën për shtyp me këtë rast. Me afrimin e natës u vështirësuan operacionet e shpëtimit për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Autoritetet italiane bënë të ditur gjithashtu se në mesin e të zhdukurve rezulton edhe një familje nga Shqipëria me tre anëtarë, banorë të njërës prej qytezave të goditura. Shumë prej ndërtesave shekullore të qytetit u shkatërruan dhe dëmtime të mëdha pati në një zonë të gjerë. Në disa blloqe apartamentesh që u rrafshuan, punonjësit e shpëtimit gjatë ditës kërkuan për të mbijetuar. Tërmeti ndodhi rreth orës 03:30 të natës në këtë qytet ku jetojnë 70 mijë banorë. Dëshmitarët okularë folën për një goditje të fortë dhe lëkundje të shtëpive të tyre. Në Akuila u rrëzua edhe konvikti i studentëve dhe prefektura. Qeveria italiane shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa i gjithë rajoni është gjunjëzuar përballë tërmetit të fuqishëm.
Berluskoni: “Duhet të reagojmë me fakte, stop polemikave”
“Rreth 4 mijë persona po marrin pjesë në nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat. Qëllimi ynë kryesor është të përqendrohemi në personat që mund të jenë gjallë. Askush nuk do të mbetet i vetëm në këtë tragjedi”. Kështu u shpreh kryeministri italian Silvio Berluskoni, i cili kërkoi gjithashtu ndalimin e polemikave: “Është koha të reagojmë me fakte dhe pasi të kemi sistemuar gjithçka siç duhet mund të fillojmë diskutimet mbi parashikimet që mund të ishin bërë ose jo për tërmetin”. Sipas kreut të qeverisë, numri i viktimave pritet të rritet nga çasti në çast, pasi numri i të zhdukurve është i madh. Ai u bëri thirrje të gjithë personave afër zonës së prekur të mos qëndrojnë brenda në shtëpitë e tyre derisa të shihet e arsyeshme. Rreth 2 mijë tenda do të shërbejnë për personat që kanë mbetur të pastrehë nga tragjedia. Në gjithë zonën u mbyllën shkollat dhe sipas Berluskonit kjo masë duhej marrë patjetër në këtë situatë.
Kryeministri italian tha se në këtë ditë fatkeqësie priti një telefonatë solidariteti nga Presidenti amerikan Barak Obama dhe ai rus Dimitri Medvedev, si dhe nga persanalitete të tjera.
Presidenti Barak Obama ngushëllon familjet italiane
Presidenti amerikan Barak Obama u shprehu ngushëllimet e tij familjeve italiane që u prekën nga tërmeti i fuqishëm, ku mbetën të vdekur dhe të pastrehë shumë persona. Nga Turqia, ku ndodhej për një vizitë zyrtare, Obama shprehu keqardhjen për tragjedinë e tmerrshme. “Duam t’u shprehim ngushëllimet familjeve dhe shpresojmë që skuadrat e shpëtimit ta minimizojnë dëmin sa më shumë që të jetë e mundur”, - tha Obama. Si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit, u shkatërruan rreth 10 mijë ndërtesa. Ndërsa kanë vazhduar edhe gjatë natës kërkimet për gjetjen e trupave, por rrugët e ngushta në L'Akuila dhe në fshatrat malore pranë epiqendrës së tërmetit vështirësuan hyrjen e automjeteve dhe pajisjeve të tjera të kërkimeve.
Presidenti Topi, ngushëllime autoriteteve italiane
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u dërgoi mesazhe ngushëllimi Presidentit të Republikës së Italisë Xhorxho Napolitano dhe kryeministrit Silvio Berluskoni, ku shprehu keqardhjen dhe hidhërimin për fatkeqësinë natyrore që preku rajonin e Abrucos. “Me keqardhje të madhe mësova për fatkeqësinë natyrore që preku rajonin e Abrucos duke shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme materiale. Ju lutem, pranoni ndjenjat e mbështetjes dhe të solidaritetit të popullit shqiptar për të përballuar këtë situatë të vështirë të krijuar nga tërmeti në rajonin e Abrucos dhe veçanërisht në qytetin e Akuilas”, – theksohej në mesazhet e Presidentit Topi dërguar autoriteteve italiane.
Tragjedia, kryeministri Berisha, mesazh kryeministrit Berluskoni
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi kryeministrit të Italisë Silvio Berluskoni, përmes të cilit u shpreh ndjenja e solidaritetit për familjet e viktimave, qeverinë dhe popullin italian, në këto çaste të vështira kur tërmeti i rëndë goditi zonën e Abrucos, mori shumë jetë njerëzish dhe plagosi shumë të tjerë. Duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin, kryeministri Berisha, përmes këtij mesazhi, shprehu bindjen se qeveria dhe populli mik italian do të dinë t’i kapërcejnë me vendosmëri pasojat e rënda të këtij tërmeti. Në këtë mesazh, kryeministri Berisha i bëri të ditur homologut të tij Berluskoni se qeveria shqiptare do të akordojë një shumë modeste prej 50 mijë eurosh, në ndihmë të familjeve të lënduara nga kjo ngjarje e rëndë natyrore.
PS, Edi Rama, letër ngushëllimi kryeministrit Berluskoni
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i dërgoi dje një letër ngushëllimi kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni, për tragjedinë e ndodhur, ku si rrjedhojë e një tërmeti të fuqishëm humbën jetën dhjetëra veta dhe u dëmtuan qindra të tjerë. Lideri i opozitës shprehu solidaritetin për personat dhe familjet që u prekën nga kjo fatkeqësi natyrore. “Në emër të Partisë Socialiste dhe në emrin tim personal, ju përcjell Juve keqardhjen më të thellë që ndjemë për jetët e humbura dhe dëmet që populli i Akuilas pësoi. Unë, gjithashtu, dua të shpreh ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin me familjet dhe personat që u prekën nga kjo fatkeqësi natyrore”, - thuhej mes të tjerash në letrën e ngushëllimit të kreut të PS-së Edi Rama.
7 Prill 2009