Kompanitë e sigurimit: Nuk duam kasa fiskale
Takimi
Shoqata i paraqet Papajanit propozime për lehtësira te taksat
Kompanitë e sigurimit e gjykojnë të pavlefshme vendosjen e kasave fiskale. Gjatë takimit të zhvilluar me kreun e Tatimeve, Artur Papajani, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë paraqiti disa propozime për lehtësira fiskale. “Përjashtimin e kompanive të sigurimeve nga detyrimi për t’u pajisur me kasa fiskale, si institucione financiare që ofrojnë shërbim vetëm nëpërmjet rrjetit bankar dhe njohjen si shpenzim të zbritshëm të komisioneve bankare që kompanitë e sigurimit u paguajnë bankave për arkëtimin e primit të sigurimit”, ishin dy nga kërkesat e siguruesve. Një tjetër sugjerim ishte përfshirja në ligj e sigurimit të detyrueshëm për disa kategori biznesesh. Papajani, në fjalën e tij, e cilësoi industrinë e sigurimeve si një nga kontributorët më të mëdhenj e dinjitozë në sistemin e të ardhurave fiskale dhe së bashku me stafin që e shoqëronte u angazhuan për një trajtim korrekt e eficent të problematikës së pozuar nga industria e sigurimeve.
Aktualisht, në tregun e sigurimeve e ushtrojnë aktivitetin rreth tetë kompani, ku gati 80 për qind të veprimeve i kryejnë përmes sistemit online.
#