Ministri sllovak: Mos e ekzagjeroni
Qëndrimi
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë përpiqet të qetësojë situatën me incidentin e ndodhur pak ditë më parë në Bratislavë, kur një avion i “Air Slovakia” devijoi destinacionin e linjës Tiranë-Bolonja. Gjatë takimit të zhvilluar dje në Tiranë me homologun Ilir Meta, Miroslav Lajcak tha se incidenti me 110 pasagjerët nuk duhet të ekzagjerohet nga autoritetet shqiptare deri në zbardhjen e plotë të provave. “është e vërtetë se kjo çështje ka tërhequr një vëmendje të veçantë, por kërkoj që të mos ekzagjerohet pa pasur prova nga autoritetet shqiptare. Theksoj se kjo nuk është një çështje mes dy vendeve tona, por një incident mes dy kompanive”, deklaroi ministri i Jashtëm sllovak gjatë konferencës për shtyp. Nga ana e tij, ministri ynë i Jashtëm, Ilir Meta, i pyetur në lidhje me incidentin e avionit të kompanisë “Albanian Airlines”, u shpreh se ky ishte një veprim i dënueshëm, por thekson se incidenti është një çështje mes dy kompanive dhe nuk lidhet me marrëdhëniet midis dy shteteve. “Veprimi i ekuipazhit të avionit ishte i dënueshëm, por një incident i tillë nuk ndikon në marrëdhëniet mes shteteve, theksoj se incidenti është mes dy kompanive dhe kjo çështje po ndiqet e do të ketë vëmendjen tonë deri në zbardhjen e plotë të saj”, deklaroi Meta.
#