E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria, marrëveshje me bizneset italiane

01/05/2009  Dje në panair, katër kontrata për kreditimin e butë me 1 milion euro

Konfindustria dhe biznesi italian zgjeruan dje fushat e bashkëpunimit, me një marrëveshje të nënshkruar gatë panairit të Cilësisë dhe Teknologjisë 2009. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, dhe Vinçenco Papa, president i CDO-Italia hodhën themelet e bashkëpunimit mes bizneseve të dy vendeve. Konkretisht fushat në të cilat do të shtrihet mbështetja janë aktivitetet promovuese të biznesit.

Marrëveshjet

Palët ranë dakord të mbështesin bizneset dhe kompanitë që operojnë në tregun shqiptar, në panairin “Matching 2009” që do të zhvillohet në fund të muajit nëntor në Itali. Forumi i biznesit nën logon Matching, ka zhvilluar në Itali disa edicione, të cilat kanë rezultuar shumë të suksesshme. Këtë vit do të jenë pjesëmarrëse 2 500 biznese dhe do të organizohen rreth 45 mijë takime të tipit “Biznes to Biznes”. Gjatë këtij takimi u firmosën edhe katër kontrata të para për mbështetjen me kredi të butë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Vetëm tre muaj nga dita e nisjes së Programit të Qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për zhvillimin e sektorit privat në vendin tonë, janë nënshkruar kontratat e para. Përfituesit e këtij programi janë katër kompani, dy prej të cilave eksportuese, të cilët do të marrin kredi të butë me një vlerë të përgjithshme prej 1 milion euro. Në ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo dhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, Saba D’Elia. “Projektet, të cilat ne nënshkruajmë sot janë të konsultuara ligjërisht dhe financiarisht nga kompanitë shqiptare të konsulencave dhe të analizuara me profesionalizëm dhe të miratuara nga Bankat Partnere të Programit, duke krijuar kështu një cikël me standarde profesionale dhe bashkëkohore. Të katërta kompanitë, të cilat përfitojnë kreditimin e butë, do të investojnë në linja industriale prodhimi”, - deklaroi Bozdo.

Programi për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri menaxhon një linjë kredie të qeverisë sonë, të ofruar nga Italia për 38 vjet. Ajo kap një vlerë prej 30 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro do të shkojnë për kreditimin e SME-ve. Italia mbetet partneri kryesor i Shqipërisë jo vetëm në shkëmbimet tregtare, por dhe në investimet private.

Panairi

Panairi do të jetë i hapur deri në datë 2 maj për të gjithë të interesuarit. Prania e kompanive të tilla gjigante si Verbund, Bechetti, Enel, CEZ, Monkada, EVN, CAE, Andrix, së bashku me kontratat e financuara të projekteve energjetike në Shqipëri të kompanive në fjalë prej më shumë se 5 miliardë euro e kanë shndërruar Panairin e Konfindustrisë në panairin më të madh të industrive energjetike për rajonin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2009. “Organizimi i një panairi të përmasave të tilla, ka vlerë të veçantë, nëse vlerësojmë, se kryhet në kushtet e krizës globale financiare, mungesës masive te likuiditetit dhe tregjeve të varfëruara botërore”, thekson Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›