QSUT llogarit koston e kurimit për çdo sëmundje
Një komision i posaçëm do të fillojë hartimin e protokolleve të mjekimit
çdo sëmundje që do të trajtohet në spitalet shqiptare më në fund do të ketë edhe një faturë të saktë. Kostoja e shërbimeve shëndetësore që një pacient do të marrë në spital do të përllogaritet mbështetur mbi një protokoll të posaçëm. Ky i fundit do të hartohet nga një grup specialistësh që do të bashkërendojnë punën në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të funksionojë skema e re e mbështetjes financiare të këtyre institucioneve shëndetësore nga ana e ISKSH-së.
Posaçërisht për këtë çështje dje, në drejtorinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” u zhvillua një mbledhje pune mes drejtorit të përgjithshëm, Ilir Dashi, dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, dr. Alfred Priftanji, drejtorit të politikave të planifikimit shëndetësor të MSH, dr. Pëllumb Pipero dhe shefave të shërbimeve të QSUT. Përfaqësuesit zyrtarë të QSUT-së konfirmuan se u përcaktuan detyrat dhe përgjegjësitë në lidhje me përgatitjen sa më shpejt të protokolleve të mjekimit të pacientëve.
Në këtë mbledhje pune, të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë, u kërkua nga shefat e shërbimeve të QSUT-së që të hartojnë protokollet e mjekimit, në bazë të të cilave do të përllogaritet kostoja e kurimit të çdo pacienti. Për këtë u kërkua ndihma e stafit mjekësor e administrativ të QSUT-së dhe stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë.
Krahas hartimit të protokolleve të reja të mjekimit, u diskutua edhe përllogaritja e kostos së shtratit të një pacienti, me qëllim që kur të implementohet tërësisht skema e ISKSH-së për pagesat në spitale, nga pacientët e pasiguruar të paguhet edhe kjo faturë.
Drejtori i spitalit më të madh në vend, Ilir Dashi, u shpreh se “në cilësinë e ndryshimeve cilësore që kemi projektuar del në plan të parë, aplikimi i protokolleve në QSUT. Ky do të jetë një veprim i shpejtë që do të shënojë fillesën e një procesi kaq të domosdoshëm për afrimin e praktikave tona, drejt standardeve në Europë, pavarësisht se është një veprim shumëplanësh”.
Nga ana tjetër, i deleguari nga Ministria e Shëndetësisë, dr. Pëllumb Pipero, nënvizoi se “pa një llogaritje të saktë të kostos nuk ka shitje të shërbimit tek ISKSH-ja dhe është qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, e cila duhet të marrë përsipër këtë proces që kërkon angazhimin e stafit mjekësor, akademik dhe administrativ të kësaj qendre, në bazë të të cilit do të përllogariten edhe protokollet e mjekimit për spitalet e tjera të vendit”.
Deri më sot, në spitalet e vendit tonë nuk ka një kosto të saktë të diagnostikimit të sëmundjeve, interventeve kirurgjikale, apo mjekimit të patologjive të ndryshme. Në fund të takimit u ra dakord që në javën e ardhshme të ngrihet një komision i posaçëm pranë drejtorisë së QSUT, me qëllim bashkërendimin e punës në të gjitha shërbimet për hartimin e këtyre protokolleve, duke filluar nga diagnozat kryesore të çdo shërbimi.
Shefat e shërbimeve të pranishëm dhanë mendimet e tyre dhe miratuan fillimin e këtij procesi. Sipas tyre, shfletimi e eksperiencave të vendeve perëndimore dhe përshtatja e tyre me specifikat e vendit tonë do të jetë zanafilla e këtij procesi.
#