Verilindja mbërthehet nga akulli, bllokohet Qafa e Malit
Shkëmbimi i kamionëve në rrugë është i pamundur. Izolohen fshatrat e thellë
Pas stuhive të djeshme të dëborës, moti në verilindje karakterizohet nga temperaturat e ulëta që kanë shkaktuar akull në akset rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Por me gjithë vështirësitë që paraqet, akset kombëtare Kukës-Tiranë, Kukës-Krumë dhe Kukës-Prizren janë mbajtur në funksion. Drejtues të Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve tregojnë se në segmentin Shëmri – Qafë-Shllak po punon një borëpastruese, pasi aty bora arrin deri në 15 cm. Në akset e tjera rrugore, ndonëse ka më pak dëborë, asfalti ka zënë akull, gjë që ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Për mbajtjen hapur të akseve rrugore po punohet kryesisht përmes hedhjes së skories dhe kripës. Kështu, gjatë paradites së djeshme është hedhur kripë në segmentin e autostradës Kukës - Morin, në segmentin e rrugës së vjetër nacionale Kukës – Qafë-Shllak, si edhe në segmentet Kukës - Bicaj, Kukës - Krumë etj. Një sasi kripe është hedhur edhe në rrugët kryesore të qytetit, për shkak të akullit të krijuar. Të bllokuara rezultojnë rrugët rurale të komunave Grykë çajë, Zapod, Kalis dhe Arrën, ku trashësia e dëborës shkon deri në 20 cm dhe ku rrugët kanë ngrirë prej temperaturave të ulëta. Shtabi i emergjencës në prefekturë thotë se po mban lidhje me të gjitha komunat dhe sipas burimeve zyrtare nuk janë njoftuar raste emergjente. Gjatë ditës së premte, më problematike ka qenë Qafa e Malit, ku një numër mjetesh kanë mbetur të bllokuar, pasi kamionët e rëndë nuk kanë mundur të këmbehen në kthesat e ngushta. Edhe pse policia kishte ngritur në Kukës një postbllok për të ndaluar udhëtimin drejt Qafës së Malit pas orës 15.00, kjo masë nuk ka pasur asnjë efekt. Sipas një burimi jo zyrtar, vetëm në mëngjes është arritur të zhbllokohet segmenti i Qafës së Malit me dhjetëra kamionë dhe autovetura, por ku për fat të mirë nuk ka pasur dëme në shëndetin e njerëzve.
Shërbimi sinoptik i forcave ajrore në Kukës tregon se temperatura e regjistruar në mëngjesin e djeshëm në Kukës ka qenë minus 5 gradë Celsius.
#