Kongresi amerikan: Obama do të përballet me luftë bërthamore
Kongresi amerikan ka njoftuar presidentin Obama të përgatitet për një luftë bërthamore apo biologjike që mund të ndodhë, duke nisur që këto muaj deri në një hark kohor pesëvjeçar. Raportimin për këtë kërcënim të fortë e ka bërë një grup dypartiak i Kongresit amerikan. Sipas tyre, lajmi nuk është për t’u neglizhuar. Komisioni për Mospërhapjen e Armëve të Shkatërrimit në Masë dhe Terrorizmit tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me vendosmëri dhe me urgjencë të madhe për të përballur një kërcënim të tillë. Në një deklaratë të bërë publike një ditë para paraqitjes zyrtare të raportit, kreu i komisionit tha se siguria po dobësohet, në vend që të forcohet. Komisioni i bëri thirrje administratës së ardhshme të presidentit të zgjedhur Barak Obama të jetë e përgatitur, nëse është e nevojshme, për një luftë biologjike. Në raportin e grupit komisioni i ka bërë thirrje administratës, të rigjallërojë politikat drejt vendeve të Azisë së Jugut ku terroristët kanë strehë, duke theksuar Pakistanin si një vend të pllakosur nga ekstremistët dhe ku, sipas tyre, materialet bërthamore dhe biologjike mund të sigurohen më mirë.