E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO vendosi: EULEX edhe në veri, nis më 9 dhjetor

 

Në takimin e Brukselit, ministrat e NATO-s kanë vendosur se misioni evropian i sigurisë, EULEX, duhet të zbarkojë sa më shpejt në Kosovë, pasi gjendja është më shqetësuese se ajo e nëntë viteve të fundit. Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë konstatuar se dislokimi sa më i shpejtë i EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, është çështje urgjente. Ata kanë konfirmuar se KFOR-i do vazhdojë të mbajë një prani të fortë në Kosovë dhe se do të vazhdojë misionin në kuadër të Rezolutës 1244 në tërë territorin e Kosovës. Në këtë takim është konfirmuar bashkëpunimi me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Edhe pse situata në Kosovë është në dukje e qetë, për NATO-n, dislokimi sa më i shpejtë i misionit të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës është çështje urgjente. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, është e rëndësishme që EULEX-i të dislokohet në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit. “Aleatët mirëpritën edhe faktin se situata në Kosovë është e sigurt, përkundër asaj që unë do ta quaja një fluiditet në spektrin politik në Kosovë”, tha Shefer. Në takimin ku ka marrë pjesë edhe shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Havier Solana, është diskutuar edhe shpërbërja e TMK-së (Trupat Mbrojtëse të Kosovës), dhe formimi i Forcave Kosovare të Sigurisë, që do të stërviten nga NATO në bazë të një fondi vullnetar të NATO-s. Thirrjet e NATO-s janë drejtuar edhe nga Serbia, duke kërkuar që të bashkëpunojë rreth Kosovës me faktorët ndërkombëtarë. Ministrat e NATO-s kanë kërkuar nga të gjitha palët në Kosovë që të përmbahen nga dhuna dhe kërcënimet. Ndërsa zyrtarëve të Kosovës u është kërkuar që të vazhdojnë të zbatojnë reformat, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimin e pakicave, sidomos në aspektin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, tha se ka qenë dhe mbetet dëshira e aleancës që EULEX-i të vendoset në gjithë territorin e Kosovës. “Pozicioni i NATO-s është i qartë. Ne dëshirojmë të shohim EULEX-in, misionin e Bashkimit Evropian, të vendoset në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun dhe aleatët e mirëpritën deklaratën e Bashkimit Evropian, se kjo do të fillojë së shpejti”, tha Shefer pas takimit në Bruksel.

“Nuk ka ndarje të Kosovës”
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka mohuar se Serbia po përpiqet të ndajë Kosovën. Ai ka deklaruar përse EULEX-i vendoset në Kosovë me kushtet që i ka përcaktuar Serbia në mënyrë të qartë, të cilat janë mbështetur nga Këshilli i Sigurimit. Jeremiç tha se, “BE-ja zyrtarisht është deklaruar në Këshillin e Sigurimit se aktivitetin e saj në Kosovë ta zhvillojë nën ombrellën e OKB-së, duke respektuar Rezolutën 1244”. “Plani i Ahtisarit është ‘varrosur’ në Këshillin e Sigurimit dhe se tani ekziston plani i Ban Ki Munit, i cili nuk prek sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”, tha Jeremiç.

“EULEX-i të vendoset sa më shpejt”
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, konfirmoi se EULEX-i duhet të vendoset në gjithë Kosovën. Duke folur para reporterëve në Bruksel, Fried tha se “situata në Kosovë është më e keqe krahasuar me nëntë vitet e fundit”. I pyetur se a do të ketë vështirësi në vendosjen e EULEX-it, duke pasur parasysh se vendosja e këtij misioni është vonuar dhe se ka pasur protesta kundër tij, Fried tha se EULEX-i “duhet të vendoset shumë shpejt dhe jam i bindur se kështu do të jetë”.

“EULEX, sipas Ahtisarit e Kushtetutës”
Me gjithë miratimin e raportit të Ban Ki Mun në Këshillin e Sigurimit, qeveria kosore beson se EULEX-i do të shtrihet në gjithë territorin e vendit dhe do të funksionojë vetëm sipas planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi ritheksoi kundërshtimin për planin 6 pikësh dhe kërkoi nga qytetarët besim tek institucionet e vendit. “Çdo hedhje gurësh ndaj BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve është një atak ndaj Pavarësisë së Kosovës dhe procesit të njohjes së saj”, tha Thaçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›