E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela e ka me bullgarët, bën sherr me Angelovin

 

Jetmir Halilaj

Duket qartë që Skela nuk i ka shumë qejf futbollistët bullgarë dhe aq më pak ata që ka në skuadrën e tij, te Energi Kotbusi. Pas një përplasjeje me sulmuesin Ditmar Rangelov pak javë më parë, ai ka bërë sërish debate me futbollistin tjetër bullgar të Kotbusit, Stanislav Rangelovin. Situata është acaruar së tepërmi, aq sa trajnerit të ekipit, Bojan Prasnikar, i është dashur të ndërpresë ndeshjen disa minuta dhe të bisedojë me të dy futbollistët, të cilëve u ka këshilluar të mos e përsërisin më atë që bënë të martën pasdite.
Ngjarja
Gjatë një dueli për topin, Skela ka tërhequr nga fanella Angelovin gjatë një ndeshje brenda familjes të martën pasdite, por më pas i kërkuar falje pasi e quajti të panevojshme ndërhyrjen. Mesfushori bullgar ka bërë sikur nuk ka ndodhur gjë, por vetëm disa minuta më pas Angelov i ka ngritur takat Skelës në një ndërhyrje duke rrezikuar t’i shkaktonte një dëmtim serioz. Fantazisti shqiptar e la stërvitjen, duke çaluar paksa. Trajneri Bojan Prasinkar është detyruar të ndërpresë stërvitjen, pasi mes lojtarëve ka pasur një debat të ashpër. “‘Ai e filloi i pari’... ‘Jo, ai e filloi i pari...’, kështu reaguan dy lojtarët profesionistë të Energi Kotbusit”, bën të ditur faqja gjermane sportive 20-cent.de. Trajneri Bojan Prasnikar foli me të dy lojtarët dhe i ka këshilluar të mos përsëritet më kjo skenë, pasi në të kundërt do të ketë sanksione për të dy. Skela është duke kaluar një formë të shkëlqyer në ndeshjet e fundit, ku spikat goli madhështor kundër Bajernit. Skelës i skadon kontrata në fund të këtij sezoni me klubin e Energi Kotbusit, por deri tani nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri mes tij dhe drejtuesve. Fantazisti i Kombëtares shqiptare ka deklaruar hapur se është në pritje të ofertës së Kotbusit për të rinovuar kontratën, duke lënë të kuptohet se nuk ka aspak dëshirë ta hedhë ai hapin e parë për t’u ulur në bisedime në lidhje me këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›