E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryedoganieri i botës në Tiranë, asistencë doganave shqiptare

Autoriteti më i lartë doganor i botës vjen në vendin tonë. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuriya, është takuar dje me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z.Flamur Gjymishka, dhe me përfaqësues të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Kjo vizitë, e para në vendin tonë e një niveli kaq të lartë të Organizatës Botërore të Doganave, u zhvillua në kuadër të vlerësimit që Organizata Botërore e Doganave ka për punën e kryer nga autoritetet e doganës shqiptare, në lidhje me menaxhimin e integruar të Kufijve. Mikuriya përgëzoi z. Gjymishka për arritjet e Administratës Doganore Shqiptare në fushën e bashkëpunimit rajonal, masave për lehtësimin e tregtisë dhe hartimit të kodit të ri doganor, dhe siguroi asistencën e Organizatës Botërore të Doganave në fusha të ndryshme, si mbrojtja e pronësisë intelektuale, programet e trajnimit on-line, menaxhimin e riskut, përdorimin e teknologjive të zhvilluara, etj. Ai theksoi se do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në luftën kundër korrupsionit nëpërmjet tre rrugëve kryesore: legjislacionit të moderuar, thjeshtimit të procedurave duke përdorur teknologjinë dhe menaxhimit të burimeve njerëzore. Në lidhje me Operatorët Ekonomikë të Autorizuar, Mikuriya sugjeroi që procedurat e thjeshtuara të futen hap-pas-hapi, duke trajtuar çdo rast, për t’u siguruar që i plotëson kërkesat e nevojshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›