E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierët: Jemi të rrezikuar në punë

Infermierët kërkojnë nga strukturat shëndetësore marrjen e disa masave konkrete dhe të shpejta lidhur me disa çështje të rëndësishme të punës së tyre të përditshme. Konkretisht, në takimin e tyre të fundit Këshilli i Urdhrit të Infermierit diskutoi punën e sektorit të infermierisë lidhur me shqetësimet e evidentuara, për sa i takon sigurisë në punë, trajnimeve profesionale dhe investimeve në këtë sektor. Sipas infermierëve të disa qyteteve, në disa spitale të vendit ka probleme lidhur me mjetet mbrojtëse për viruset, infeksionet dhe gabimet mjekësore gjatë kohës që infermierët qëndrojnë në punë. Sipas Urdhrit të Infermierëve gjatë procesit të punës mungojnë mjetet e posaçme, të cilat do t‘i mbronin nga sëmundjet e ndryshme, një pjesë e të cilave janë të transmetueshme. Në këtë kuadër, infermierët kërkojnë pajisjen e tyre me mjete mbrojtëse si doreza, maska dhe të gjithë aksesorët e tjerë për të evituar infeksionet në punë.

Mungesat e theksuara nga ana e shtetit për ecurinë e nivelit kualifikues të infermierëve në rang vendi është një problematikë tjetër e ngritur. Infermierët gjenden të privuar nga organizimi i aktiviteteve trajnuese apo kualifikuese për ta, gjë që duhej në fakt të merrej përsipër nga instancat shtetërore që janë të interesuara për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm të shëndetësisë në vend. "Mjafton të përmendim një fakt, atë të mungesës së bibliotekave, me literatura të posaçme për infermierët, të cilat do ndihmonin në pajisjen me më shumë njohuri për ta", ka theksuar presidenti i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›