Infermierët braktisin punën
Shërbimi i infermierisë në zonat rurale të vendit është në grahmat e fundit. Urdhri i Infermierit jep alarmin për braktisjen e vendit të punës që po bëjnë infermierët, duke lënë pa shërbim mijëra qytetarë. Kryetari i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi deklaroi se braktisja e vendit të punës është më e theksuar sidomos në ambulancat e fshatrave dhe do të kërkohet të merren masa të rrepta. Këtë deklaratë, ai e bëri në konferencën e djeshme, “Sjelljet etiko-profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm profesional, sfida dhe arritje në kujdesin shëndetësor tek ne”, ku të pranishëm ishin edhe zv/ministri i Shëndetësisë, Albert Gajo, drejtori i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero etj. “Shqetësimi ynë mbeten sjelljet etiko-profesionale të profesionistëve të kujdesit, duke synuar rritjen e cilësisë së kujdesit infermieror. Nga testimet tona dalin në pah sjelljet e tilla që dallojnë që nga paraqitja e jashtme, mbajtja e uniformës së punës, nga lëvizjet me uniformë jashtë vendit të punës, nga komunikimi i cili është edhe më i rëndësishmi, apo braktisja e shërbimit me ditë të tëra, dukuri kjo kryesisht për ambulancat e fshatrave. UISH, së bashku me MSH-në ka ngritur Task-Forcë dhe nga një inspektim i tyre kanë dalë disa problematika, janë ngritur komisionet e gjykimit profesional dhe po punojmë për ta ndëshkuar çdo rast sipas ligjit. E unë mendoj se kudo ku ky shërbim nuk është në nivelin e duhur, kudo ku manifestohen sjellje etiko-profesionale në kundërshtim me Kodin Etik-Deontologjik, është përgjegjësi direkte e krye/infermierëve, sepse janë ata përgjegjësit e kujdesit infermieror, 24 orë më 24”, - theksoi presidenti i Urdhrit të Infermierit. Përfaqësuesit e lartë të Shëndetësisë vlerësuan nga ana e tyre rëndësinë e kujdesit infermieror, në kuadrin e reformës në shëndetësi.