E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mjekëve, kundër prangosjes së bluzave të bardha

Abazaj: Brenda ekipit të mjekësisë ligjore të përfshihet edhe një klinicist, për të gjetur shkakun e vdekjes së një pacienti në duart e mjekëve

Urdhri i Mjekëve kundërshton vendimet për arrestimet e bluzave të bardha, për rastet kur pacientët humbin jetën në duart e tyre. Presidenti i Urdhrit të Mjekëve, Din Abazaj reagoi ditën e djeshme lidhur me arrestimet dhe dhunën e ushtruar ndaj mjekëve, duke veçuar ata në Durrës, të akuzuar për mosmjekimin e volejbollistit Juxhin Guza. Në reagimin e Urdhrit të Mjekëve thuhet se para pak kohësh, tre mjekëve u janë vënë prangat me akuzën për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”, të pakonfirmuar, ndërsa të tjerë mjekë përpara këtyre janë arrestuar apo ndjekur në gjendje të lirë. “Urdhri i Mjekëve më se njëherë ka shprehur dhe shpreh edhe njëherë shqetësimin e tij duke i konsideruar të nxituara dhe të pajustifikuara, veçanërisht prangosjet e mjekëve kaq flagrante e demonstrative përderisa ata nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore dhe ende nuk është konfirmuar akuza e ngritur ndaj tyre”, - ka pohuar Abazaj. Më tej ai ka shprehur rezerva edhe për ekspertizën e mjekësisë ligjore. Për këtë çështje, Urdhri i Mjekëve kërkon përfshirjen brenda ekipit të mjekësisë ligjore edhe të një klinicisti, në rastet kur pacienti humb jetën. Sipas kreut të Urdhrit të Mjekëve, Din Abazaj, mjekësia ligjore nuk mund të nxjerrë konkluzione përfundimtare pa një ekspert të tillë, në rastet e humbjes së jetës së një pacienti në duart e bluzave të bardha. Vetëm pak kohë më parë dy mjekë në Durrës, Dalip Çela, kirurg dhe Nuri Qyra, reanimator, u akuzuan për mjekim të pakujdesshëm ndaj volejbollistit Juxhin Guza, i cili humbi jetën në spital, pas një plagosjeje me thikë në hyrje të pallatit ku banonte. Deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar për vrasjen e volejbollistit, ndonëse policia e Durrësit ka vënë në dispozicion një shumë prej 30 mijë eurosh për gjetjen e autorit të krimit. Po ashtu, edhe kirurgu i spitalit të Lezhës, Ndue Çupi ndodhet nën të njëjtën akuzë, për pakujdesi në mjekimin e një 51-vjeçari, që humbi jetën disa javë pas operimit nga apendiciti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›