E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët, 296 emrat që kompensohen

Përfituesit për Tiranën, Elbasanin, Shkodrën dhe Fierin. AKKP: Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave publikon listën pronarëve dhe bashkëpronarëve që do të kompensohen nga shteti. AKKP njofton se më 16 dhjetor ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të grupit të gjashtë të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këste. Këto kërkesa përfitojnë këstin e shpërblimit (kompensimi) në masën prej 36,94 % të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. Në përfundim të këtij procesi, kësti është shpërndarë për 88 kërkesa të depozituara rishtazi në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 296 pronarësh apo bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 268 938 499,1 (dyqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e tridhjetë e tetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë një) lekë. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën e mëposhtme të publikuar nga AKKP. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim. AKKP sqaron se procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, ligjin nr.10239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilat është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›