E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierët, në protesta pas arrestimeve

Një tjetër infermier i spitalit civil të Korçës është vënë në pranga nga ana e policisë së qytetit juglindor, për mjekim të pakujdesshëm ndaj 5-vjeçarit Viktor Balliu, që vdiq nga pickimi i gjarprit. Kostika Karamitro, me profesion infermier, është arrestuar gjatë orëve të mesditës së djeshme, duke çuar në katër numrin e personave të ndaluar me urdhër të prokurorisë për ngjarjen që solli si pasojë vdekjen e fëmijës nga fshati Leminot. Sipas policisë lokale, Kostika Karamitro u arrestua në bazë të urdhër-ndalimit të lëshuar nga ana e organit të akuzës korçare, me veprën e "mjekimit të pakujdesshëm". Mësohet se Karamitro ka qenë pjesë e ekipit të mjekëve që kanë trajtuar fëmijën 5-vjeçar, kur ky mbërriti në gjendje të rëndë, pas pickimit të gjarprit. Kostika Karamitro është arrestuar rreth orës 14:00 të së premtes, në ambientet e spitalit civil të qytetit, në kohën kur ka qenë duke kryer detyrën. Ai është marrë nga blutë me pretendimin se do të merrej në pyetje për ngjarjen e ndodhur rreth një javë më parë. Por ai është vënë menjëherë në pranga dhe është shoqëruar më pas për në ambientet e komisariatit të policisë. Kostika Karamitro është arrestuar pasi, sipas burimeve të prokurorisë, ka qenë me detyrën e infermierit të urgjencës në momentin kur është shtruar në spital pacienti 5-vjeçar.

Pas dy ditë hetimesh nga grupi i ekspertëve i ngritur posaçërisht për vdekjen e Viktor Balliut, pas denoncimit të ardhur nga familjarët e tij, prokuroria ka lëshuar katër urdhra-ndalimi. Burime nga organi i akuzës së Korçës kanë thënë për "Shqip" se nga hetimet e deri më tanishme ka rezultuar se asnjë nga mjekët dhe infermierët që kanë asistuar vogëlushin nuk janë interesuar pranë farmacisë së spitalit për të tërhequr medikamentin, që nga hetimet ka rezultuar se ekzistonte në frigoriferin e farmacisë. Ndërsa pritet masa e sigurisë ndaj ekipit të mjekëve për akuzën e mjekimit të pakujdesshëm, tre të arrestuarve të parë mbi ngjarjen i është shtuar edhe një tjetër person, dhe pikërisht infermieri i turnit. Mësohet se gjatë seancës së marrjes në pyetje, Karamitro ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se në raste të tilla procedura është që të zbatohet urdhri i dhënë nga mjeku për plotësimin e kartelës. Me arrestimin e infermierit Kostika Karamitro ka shkuar në katër numri i të prangosurve për vdekjen e fëmijës 5-vjeçar, Viktor Balliu. Në dy ditët e fundit janë arrestuar mjeku reanimator Ilir Milo, ndihmës anestezisti Julian Mato, si dhe dy infermierët Olgert Hoxhallari dhe Kostika Karamitro. Ky është rasti i parë kur të vënë nën akuzë pas denoncimeve nga të afërm të pacientëve për mjekim të pakujdesshëm dhe neglizhencë nga bluzat e bardha, bëhet një arrestim në grup ndaj ekipit të mjekëve. Kujtojmë se vetëm tre vjet më parë, një nga mjeket e spitalit pediatrik të Korçës u vu nën akuzë nga prindërit e një vajze 1-vjeçare nga fshati Sul, e cila vdiq në spital nga asfiksimi i shkaktuar prej pranisë së një kokërr fasuleje në rrugët e frymëmarrjes. Për këtë rast u hetua një ekip mjekësh, por akuza kryesore binte mbi mjeken pediatre që kishte nën kujdes të miturën, e cila dhe u dënua, duke shënuar kështu rastin e parë që dënohet një mjek. Por rasti i vogëlushit Viktor Balliu është i pari që ka çuar përpara drejtësisë një ekip mjekësh, të cilët janë arrestuar menjëherë pas nisjes së hetimeve për ngjarjen.

Infermierët, në protesta për mbrojtjen e kolegëve

Korçë, bllokohet shërbimi spitalor. Kërkesa: "Faji nuk duhet kërkuar te kolegët tanë"

Arrestimi i infermierit Kostika Karamitro në mjediset e spitalit rajonal të Korçës teksa ka qenë në detyrë, ka bërë që ekipi i infermierëve të ngrihet në protesta në mbrojtje të kolegëve. Infermierët e spitalit civil të Korçës kanë protestuar para drejtorisë së spitalit, nga e cila kanë kërkuar që t‘i drejtohet me një peticion prokurorisë së rrethit për lirimin e infermierëve dhe, nga ana tjetër, për thellimin e hetimeve lidhur me gjetjen e përgjegjësve të vërtetë të ngjarjes. Infermierët korçarë kanë refuzuar të dalin në punë dhe t‘u shërbejnë pacientëve. Ata kanë vendosur të protestojnë deri në zgjidhjen e kërkesës për lirimin e kolegëve, të cilët, sipas tyre duhet të hetohen në gjendje të lirë dhe jo t‘i nënshtrohen arrestit, pa vërtetuar përgjegjësinë që kanë pasur për këtë ngjarje. Sipas infermierëve, përgjegjësia për vdekjen e fëmijës i takon ekipit të mjekëve dhe jo infermierëve, ndërsa, nga ana e tyre, deklarohet se greva e nisur do të vijojë pa afat deri në marrjen e një vendimi për lirimin nga burgu të kolegëve që ata i përjashtojnë nga fajësia mbi rastin. Reagimi ka ardhur menjëherë pas arrestimit të infermierit Karamitro, i cili, sipas ekipit të infermierëve, nuk ka asnjë lidhje direkte me trajtimin e pacientit, pasi nuk ka qenë në punë në momentin kur është shtruar fëmija. Organi i akuzës së Korçës, i cili ka lëshuar urdhër-arrestin për infermierin në fjalë, ka bërë të ditur se mes ekipit të mjekëve përgjegjës ndodhen edhe dy infermierët, të cilët nuk janë interesuar për tërheqjen e medikamentit nga farmacia. Por, sipas kryeinfermieres së reanimacionit, Mariana Zhilla, në asnjë rast nuk ndodh që infermieri të kundërshtojë urdhrin e mjekut dhe në këtë rast procedurat e ndjekura nga ana e dy infermierëve kanë qenë korrekte edhe në zbatimin e mbushjes së kartelave mjekësore. "Infermierët zbatojnë në çdo rast urdhrin e mjekut. Atyre nuk u është kërkuar të tërheqin ilaçin nga farmacia. Në këtë rast, prej tyre është plotësuar kartela mjekësore në bazë të urdhrit që ka dhënë mjeku dhe kanë qenë këta të fundit ata që kanë deklaruar se nuk disponohet serumi antivipera. Për këtë arsye, infermieri në momentin që mjeku i ka komunikuar se nuk ka serum antivipera ka bërë shënim që i ka thënë mjeku në kartelën mjekësore. Përgjegjësia nuk është aspak e ekipit infermieror dhe prokuroria duhet të gjejë fajtorët e jo të kryhen arrestime të pabaza. Serumi nuk është kërkuar nga infermieri, pasi mjeku që ka kartelizuar medikamentin i ka komunikuar se serumi mungon. Për këtë arsye ne do të vazhdojmë protestat pa afat deri në zgjidhjen e kërkesës, pasi ata janë infermierë dhe jo kriminelë që të arrestohen në këtë formë dhe gjatë procesit të punës", shprehet Zhilla. Nga ana e tij, Urdhri i Mjekut ka komunikuar me drejtorinë e spitalit që të kërkohet hetimi në gjendje të lirë.

Me arrestimin e infermierit Kostika Karamitro, ka shkuar në katër numri i të prangosurve për vdekjen e fëmijës. Në dy ditët e fundit janë arrestuar reanimatori Ilir Milo, ndihmës/anestezisti Julian Mato, si edhe dy infermierët Olgert Hoxhallari dhe Kostika Karamitro.

Urdhri i Mjekut:

"Mjekët nuk e kanë kryer plotësisht detyrën"

Çështja e vdekjes së një 5-vjeçari në spitalin e Korçës, ku katër bluza të bardha akuzohen për mjekim të pakujdesshëm, është marrë në shqyrtim edhe nga Urdhri i Mjekut. Drejtuesi i këtij urdhri, Robert Tomço, deklaroi se në bazë të ligjit ka nisur edhe investigimi i rastit. Ai bën përgjegjës mjekët dhe personelin e mesëm kur thotë se në mungesë të një serumi antivipera dhe në kushtet kur është marrë një vendim që fëmija të kalojë për trajtim të specializuar në kryeqytet, duhet të njoftohej më parë drejtoria e spitalit për të realizuar transportimin me helikopter. "Detyra e mjekëve nuk është kryer plotësisht, pasi edhe në kushtet e mungesës së antiviperës, fëmija mund të dërgohej me helikopter drejt Tiranës, duke qenë se mjekët kanë gjykuar se 5-vjeçari ishte në gjendje të rëndë. Ata duhet të bënin të gjitha përpjekjet e mundshme për ta shpëtuar edhe në kushtet kur ndoshta ka qenë tepër vonë për t‘i dhënë një shpresë jete". Megjithëse Tomço nuk e ka përjashtuar marrjen e masave për pezullim, ka kontestuar veprimin e kryer për arrestimin e mjekëve, të cilët, sipas tij, deri në përfundim të hetimit mund të thirreshin në prokurori për sqarime. Sipas tij, vetëm kur të dilnin përgjegjësitë mund të kalohej në arrestimin e fajtorëve. "Nga ana tjetër, arrestimet nuk janë kryer siç duhet dhe kemi kërkuar që të ndiqen penalisht në gjendje të lirë deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Pasi të dalin përgjegjësit nga ana e hetimit të prokurorisë, do të veprojmë edhe ne me masat tona", thotë Tomço.

Ditë më parë, Urdhri i Mjekut kishte vënë gishtin e përgjegjësisë mbi radhët e mjekëve që u kujdesën për vdekjen e fëmijës. Dy ditë më parë, Tomço kishte deklaruar se nëse do të kryhej në kohë ndërhyrja me serumin antivipera, vogëlushi do të kishte shpëtuar. Ai vuri përgjegjësinë mbi mjekët, por dhe mbi personelin e mesëm, pasi nga verifikimet që ishin kryer, kishte rezultuar se asnjë nga personeli nuk është interesuar pranë farmacisë së spitalit për serumin antivipera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›