E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, arrestohen 58 persona për trafik droge me Shqipërinë


Trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali ka dërguar në pranga jo pak, por 58 persona, mes të cilëve pjesa dërrmuese shqiptarë me qëndrim të rregullt në Itali. Mediat italiane thonë se një hetim i nisur që në vitin 2005 ka sjellë mëngjesin e djeshëm bllokimin e më shumë se 80 kilogramëve drogë të llojeve të ndryshme (si heroinë kokainë e kanabis) dhe arrestimin e të hetuarve. Media italiane ka bërë të ditur se, skuadra e policisë gjyqësore së bashku me policinë hekurudhore të Lombardisë ka përfunduar aksionin që ka dërguar në pranga pjesëtarët e organizatës italo-shqiptare dhe bllokimin e sasisë së madhe të heroinës, kokainës dhe kanabisit. Siç bën të ditur policia italiane, droga transportohej nga portet shqiptare në drejtim të atyre italiane, duke u futur në gomat e kamionëve të mallit që bënin udhëtime të rregullta.
Operacioni
Dje në mëngjes, skuadra e policisë së departamentit të drejtësisë në Lombardi doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se ka kryer një operacion antidroge, i cili ka çuar në arrestimin e 58 personave, pjesa më e madhe me origjinë shqiptare, si edhe sekuestrimin e 80 kg lëndë narkotike. Në kuadër të këtij operacioni, policia ka sekuestruar dy laboratorë të jashtëligjshëm, ku bëhej paketimi i drogës gati për shitje, si edhe ka ndaluar një tjetër shqiptar, ndaj të cilit ishte firmosur një urdhërarrest ndërkombëtar. Hetimet kanë nisur në vitin 2005 me arrestimin e 32 personave për shpërndarje të lëndës narkotike dhe është drejtuar nga personeli i skuadrës së policisë së drejtësisë në Milano dhe e koordinuar nga Prokuroria e Lombardisë. Fazat e para të hetimit, të cilat u mbështetën në përgjime telefonike dhe ndjekje, u përqendruan në zonën e Milanos dhe çuan në arrestimin e tetë shpërndarësve të drogës, si edhe sekuestrimin e pesë kilogramëve lëndë narkotike. Pas rezultateve të para, në muajin tetor 2006 hetimet u përhapën edhe në rajone të tjera të Italisë, të cilat çuan në arrestimin e 22 personave në qytete si Piacenza, Fermo, Ascoli, Piceno, Teramo dhe Katania. Gjatë këtyre operacioneve u sekuestruan edhe 35 kg drogë gati për t‘u shpërndarë në treg. Nga zhvillimi i hetimeve, agjentët zbuluan edhe lëvizjen e drogës, e cila shpesh transportohej nga Shqipëria në Itali, duke u fshehur brenda në gomat e kamionëve.
Hetimet
Mediat italiane shkruajnë se operacioni është bërë në bashkëpunim edhe me palën shqiptare, pavarësisht se policia jonë nuk ka dhënë ndonjë deklaratë. "Hetuesit, falë edhe bashkëpunimit të policisë shqiptare, kanë mbledhur prova të rëndësishme, të cilat çuan më pas në arrestimin e 28 shqiptarëve të tjerë me banim në Itali, si edhe sekuestrimin e 40 kg drogë. Gjithashtu u arrit të bihej në gjurmët e një shqiptari, i cili merrej me trafik droge, por ndaj tij ishte firmosur edhe një urdhërarrest ndërkombëtar. Në fazën e fundit të hetimit arrestimet janë kryer në Firenze, Genova, Lodi, Lecco, Sondrio, Pavia, Piacenza, Varese, Alessandria, Vercelli, Cuneo, Milano e Monza, ku janë gjetur dy laboratorë të paketimit të lëndëve narkotike për shitjen e saj. Për dy të arrestuarit është ngritur edhe akuza e shfrytëzimit të prostitucionit dhe skllavërisë në dëm të një shqiptareje 22-vjeçare dhe një rumuneje 19-vjeçare. Sipas policisë italiane, shqiptarët i kontrollonin prostitutat me anë të telefonit. Ajo i telefononte shqiptarit sa herë gjente klientin dhe sa herë ndahej prej tij dhe tutori i merrte paratë menjëherë. Bisedat telefonike mes tyre janë përgjuar dhe policia italiane i konsideron si prova të forta regjistrimet e marra gjatë hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›