Zgjerohet harta e hashashit, kapen 87 rrënjë në Tiranë
Edhe pse policia shqiptare këto 2-3 vitet e fundit i ka ashpërsuar në maksimum masat ndaj kultivuesve të hashashit, ata kanë marrë guximin që ta zgjerojnë hartën e mbjelljes deri në periferi të Tiranës. Sipas njoftimeve zyrtare të dala nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit mësohet se pardje, në Komunën e Kasharit është shkatërruar një sipërfaqe toke e mbjellë me kanabis sativa. Kështu mësohet se falë informacioneve operative, specialistët kundër narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë, sekuestruan në fshatin Kus, Komuna Kashar, disa parcela të veçuara, të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa, të cilat ishin në fazën "e pjekjes" përfundimtare. Pas një operacioni të mirorganizuar nga shërbimet policore, u kontrollua me imtësi zona për të cilën ishin marrë informacione operative se ishte bërë "plantacion" për kultivimin e bimës nga prodhohet droga, që në gjuhën urbane quhet hashash. Pas konstatimeve në terren, një skuadër policësh preu dhe sekuestroi gjithsej 87 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, të cilat kishin gjatësi të ndryshme dhe mund të prodhonin deri në 1 kilogram drogë. Bimët ishin mbjellë në afërsi të një përroi të thellë në fshatin Kus të Komunës Kashar. Pas verifikimeve të bëra, rezultoi se tokat ishin pa pronar. Nga grupi hetimor i formuar për këtë qëllim, u kryen veprimet procedurale, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit. Mësohet gjithashtu se materialet i janë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të kultivimit të narkotikëve, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal. Ndërkohë, mësohet se në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është analizuar në detaje rasti i parë i kultivimit të drogës në këtë qark për vitin 2009, si edhe situata kriminale në drejtim të parandalimit, zbulimit dhe asgjësimit të sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike. Gjithashtu, seksioni kundër narkotikëve, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të punës në drejtim të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, ka zhvilluar analiza të herëpashershme, me synim evidentimin e problemeve, duke marrë masa për eliminimin e tyre. Një nga qëllimet kryesore është edhe bashkërendimi i punës me organet e pushtetit vendor. Brenda një kohe të shkurtër, thonë burimet nga kjo drejtori policore, do të realizohen takime me drejtues të bashkive, komunave dhe kryepleqve të rrethit të Tiranës, vetëm për këtë problem, parandalimin e kultivimit.