E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria kalon 7 nga 35 kapitujt

Pyetësori

Komiteti Ndërministror i Integrimit miratoi dje 7 nga 35 kapitujt e pyetësorit të dërguar nga Komisioni Europian për Shqipërinë, i cili pritet t’i hapë rrugë edhe marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kështu, pas diskutimeve të gjata në komitetin e drejtuar prej Kryeministrit Berisha, u ra dakord që të konsideroheshin të përfunduar kapitujt e pyetësorit që lidheshin me lëvizjen e lirë të punëtorëve, prokurimi publik, peshkimi, politikat e transportit, politikat ekonomike dhe monetare, politikat e transportit transeuropian dhe doganat. Kreu i qeverisë theksoi se tashmë puna për këta shtatë kapituj të përfunduar u kalon përkthyesve, të cilët duhet të bëjnë vërtet një punë shumë profesionale për të qenë në nivelin e kërkuar të përkthimit. “Pas kësaj mbledhjeje dhe miratimit të këtyre kapitujve, puna nuk përfundon këtu. Përkundrazi, mbeten dy momente shumë të rëndësishme, përkthimi i tyre në anglisht dhe kontrolli i përkthimit, në përgjegjësinë e plotë, sepse që anglishtja e Tiranës të përputhet plotësisht me anglishten e Brukselit, duhet të jemi të vetëdijshëm që duhet një punë jashtëzakonisht e kujdesshme”, theksoi Berisha. Sipas tij, këto dy muaj mund të konsiderohen si muajt e një pune të frytshme intensive, në të cilën është treguar vëmendje maksimale nga të gjitha ministritë dhe agjencitë e vendit. Pas fjalës së Kryeministrit Berisha, ishte ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, që bëri një paraqitje më të detajuar të kapitujve në shqyrtim. Sipas saj, në procesin e përgjigjes së pyetjeve janë përfshirë 1200 punonjës të administratës shqiptare, ku gjithsecili prej tyre ka pasur pyetje dhe përgjigje në ngarkim. Në mbledhjen e djeshme të zhvilluar në Kryeministri, përveç ministrave të kabinetit “Berisha” merrnin pjesë edhe krerë të agjencisë qeveritare, të cilët kishin marrë pjesë në procesin e kthimit të përgjigjeve. Mes të pranishmëve merrte pjesë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili i shoqëroi ministrat e kabinetit edhe për një kafe pas mbledhjes së komitetit, e cila zgjati për më shumë se tri orë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›