Reshjet lënë pa ujë Beratin dhe Kukësin
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar shkarje të dherave dhe probleme me furnizimin me ujë të pijshëm në Kukës dhe Berat. Në Berat, shkak ka qenw dëmtimi i tubit kryesor që përcjell ujin e pijshëm nga vendburimi i Bogovës drejt qytetit të Beratit. Për pasojë, rreth 64 mijë banorë të qytetit dhe rrethinave të tij po vuajnë mungesën e ujit që prej paradites së të mërkurës. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në vendin e quajtur Uji i Zi në afërsi të Komunës Bogovë ka pasur shkarje të dherave çka është bërë shkak që tubi i ujit të pijshëm të ndahet në dy pjesë. Ndërkohë, burime nga Drejtoria e Ujësjellësit bëjnë të ditur se grupi i gatishmërisë konstatoi se shkak për shkëputjen e tubit në dy pjesë mendohet të jetë bërë shkarja e masivit prej dheu si pasojë e reshjeve. Në këto kushte, 64 mijë banorët e Beratit, por dhe një pjesë e banorëve të rrethinave të tij si fshatrat Moravë, Dushnik, Orizaj nuk kanë ujë të pijshëm në banesat e tyre. Ndërkaq, në Kukës reshjet e shiut, që vazhdojnë që prej dy ditësh, kanë turbulluar dhe ndotur ujin e pijshëm. Në çezmat e familjarëve të qytetit të Kukësit uji ka rrjedhur me ngjyrë për shkak të përzierjes me baltë. Shqetësimit të konsumatorëve i është përgjigjur dje Drejtoria Rajonale e Higjienës, që pas analizave laboratorike ka konstatuar se të paktën uji nuk përmban ndotës bakteriologjik. Ndërkaq, mësohet se drejtues të Drejtorisë së Higjienës në Kukës kanë shtuar dozat e klorit, si dhe vijojnë të marrin kampionët për analizat laboratorike. Muaj më parë, në një nga lagjet e Kukësit ka pasur edhe ndotje bakteriologjike, për shkak të dëmtimit të rrjetit të brendshëm, ku pas konstatimit është ndërhyrë nga bashkia për riparimin e tubacioneve.
#