Prokurorët: Të ndryshohet Kodi Penal për të drejtën e autorit
Grupi i prokurorëve të njësisë së përbashkët hetimore për luftën ndaj krimit ekonomiko-financiar propozon që të bëhen disa ndryshime në Kodin Penal, në lidhje me të drejtën e autorit. Trupa e prokurorëve të Task-Forcës ka marrë pjesë dje në seminarin e organizuar nga misionet e huaja të asistencës ligjore që veprojnë në Shqipëri, duke diskutuar për të ashtuquajturën “pronësi intelektuale”.
I pranishëm në takim ka qenë edhe një prokuror i Departamentit të Shtetit i SHBA-së, i cili monitoron këto krime në Europën Juglindore. Në seminar janë dhënë disa shembuj të hetimeve të këtyre “vjedhjeve” të së drejtës së autorit, ndërsa diskutantët në Shqipëri kanë ngritur zërin në lidhje me legjislacionin. Ata propozuan që Kodi Penal të ndryshohet, pasi nenet aktuale nuk e prekin mirë këtë fushë dhe ka nevojë për ndërhyrje. Prokurori amerikan ngriti disa shembuj të marrë nga praktika në SHBA, pasi edhe më parë ka hetuar këto lloj krimesh.
Ai shpjegoi se është e nevojshme hetimi i këtyre veprave penale, pasi dëmet mund të jenë miliona euro. Më tej shpjegoi edhe hetimin e këtyre veprave në Ballkan, teksa propozoi që njësia Task-Forcë të hetojë këtë dukuri, duke parë shtimin e veprave penale që lidhen me internetin.
Sipas diskutantëve, shteti shqiptar e ka të pamundur që të fillojë një hetim për shkarkimet nga interneti të filmave apo këngëve të ndryshme. Sipas prokurorit amerikan, nuk mund të hetohen personat që shikojnë filmat apo dëgjojnë këngët, por personat që tregtojnë këto materiale, pasi në këtë mënyrë kanë vjedhur të drejtën e autorit.
Dëmi ekonomik mund të jetë shumë i madh dhe nevojitet një dënim penal për të parandaluar këtë fenomen, i cili, për hir të vërtetës, është shumë i përhapur edhe në Shqipëri. Tregtimi i produkteve të marra nga interneti apo kompjuteri, pa marrë më parë të drejtën e autorit, është shqetësues.
Në përfundim, diskutantët kanë qenë dakord që personat e prekur nga këto krime të referojnë vjedhjen në prokurori dhe më pas fillon një hetim penal. Nga legjislacioni shqiptar, botimi i veprës së tjetrit në emër të vet dënohet me gjobë deri në dy vjet burg.