Nënoficeri kundërshton paraburgimin
Organizatori i skandalit të ish-repartit 100, për shitjen e armëve në pronësi shtetërore, Dëfrim Baxhellari, ish-nënoficer magazinier në ish-repartin 100 në Mullet, një nga repartet më strategjike të vendit, kundërshton afatet e paraburgimit, pas ekstradimit nga Italia. Padia është regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vijim. Sipas kërkesës, Baxhellari pretendon se është mbajtur në burg jashtë afateve ligjore dhe paraburgimi për të duhet të kishte përfunduar. Ai ka kërkuar që të llogariten si paraburgim edhe qëndresa në burgun italian në pritje të ekstradimit në atdhe. 45-vjeçari është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar nga Gjykata Ushtarake me 20 vjet burg për vjedhje të armatimit, vjedhje municioni dhe falsifikim dokumentesh nga personi, që e ka për detyrë t’i lëshojë. Prej datës 4 qershor 1993, deri më datë 28 qershor 2001, Baxhellari punonte në ish-repartin 100, kur furnizonte të gjithë repartet e komisariatet me armatim e municion, si dhe magazinonte armë nga këto reparte. Po ashtu, pas ngjarjeve të vitit 1997, magazinonte armët e grumbulluara nga popullata. Ai u denoncua nga komanda e repartit pas kontrollit të bërë për periudhën qershor 1996-maj 2001, ku ishin vërejtur parregullsi, diferenca të mëdha në materiale, falsifikim dokumentesh në qarkullimin e vlerave materiale të armatimit etj.
#